Gani Zylfiu nga Krusha e Vogël e Prizrenit, thotë se kushtet për mbjelljen e grurit janë shumë të mira.
“Koha është jashtëzakonisht e duhur, koha e mirë që nuk mbahet mend, lagështia është e mjaftueshme, puna po bëhet me intensitet të lartë, gjysmën i kam mbjellë dje, pjesën tjetër mendoj që brenda tre katër ditëve ta mbaroj. Sa u përket subvencioneve, dje i kemi marr një pjesë, po shpresojmë se shpejt do ti marrim edhe pjesën tjetër”, tha për RTK, Gani Zylfiu, fermer në Krushën e Vogël.
Edhe në Piranë të Prizrenit fermerët nxitojnë të mbjellin, pasi kushtet klimatike po u ofrojnë atyre shumë mundësi për ta përfunduar këtë proces.
Por shqetësim kryesor është rënia e numrit të bujqve.
Fara e grurit këtë vit është importuar në kohë nga vendet e rajonit dhe fermerët kanë marrë këshillat e duhura nga agronomët, thotë drejtori i Bujqësisë, Bexhat Bytyqi.
“Për farë të grurit këtë vit dhe për mbjelljet do të mbajmë trajnimet në pranverë, i kemi planifikuar, ku do ti informojmë fermerët për paraqitjen e sëmundjeve dhe trajtimin”, tha Bexhat Bytyqi, drejtor i bujqësisë – Prizren
Sipas drejtorit të Bujqësisë, Bexhat Bytyqi, në Prizren rreth 30% e fermerëve po presin subvencionimin e shtetit për këtë kulturë.
Interesimi për mbjelljen e kësaj kulture është rritur, ndërsa në Prizren pritet të mbillen rreth 2500 hektarë grurë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.