Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se pas përfshirjes së votave të mërgatës, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para edhe në komunën e Klinës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka sqaruar se në hartën e publikuar më herët nuk ishin përfshirë këto kategori votash, duke bërë që rezultati përfundimtar të ndryshojë.
“Kur shtohen këto vota, del që Vetëvendosje! edhe në komunën e Klinës është e para, prandaj në hartë tash edhe Klina u bë e kuqe. Ju kërkoj falje për këtë lëshim dhe ju falënderoj për përkrahjen,” ka shkruar Kurti.
Sipas tij, pas numërimit të plotë të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, LVV ka dalë e para në 22 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në dy komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në një, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) bashkë me Nismën Socialdemokrate në dy, KDTP në një, ndërsa Lista Serbe (LS) në 10 komuna, prej të cilave gjashtë janë komuna të krijuara me Planin e Ahtisaarit.
Kurti e ka cilësuar këtë rezultat si një fitore të rëndësishme për partinë e tij, duke falënderuar qytetarët dhe aktivistët për mbështetjen e tyre. /Telegrafi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.