Ekonomia e Dragashit ka një profil tradicional të bazuar në blegtori. Dhentaria ka qene aktiviteti kryesor ekonomik për pjesën më të madhe të popullatës. Tani komuna e Dragashit po e humbet traditën e kultivimit të deleve. Dragashi ka mbi 35 mijë hektar kullota ndërsa, ka vetëm 9700 krerë dele që është numri më i vogël i deleve që ka pasur ndonjëherë kjo komunë.
Sektori i dhentarisë ka kaluar nëpër një ristrukturimi masiv që nga fillimi i luftës. Numri i deleve ka rënë nga 600 mijë krerë dele sa ishin në vitet e 60-ta nën 200 mijë krerë sipas të dhënave në Raportin e Gjelbër të Kosovës. Ndërsa, sipas një hulumtimi të realizua nga studentet e Fakultetit të Bujqësisë, ky reduktimi ka ardhur për shkak të mungesës së tregjeve të eksportit, tregje të cilat janë shkatërruar nga lufta. Sipas tyre, në të kaluarën Kosova ka pasur një tregti të fuqishme në vendet fqinje sa i përket mishit të qengjit, mish i cili ka qenë i njohur për cilësi të lartë.
Ndërkaq, sipas këshilltarit për bujqësi në komunën e Dragashit, Flamur Sylejmani, kushtet për zhvillimin e sektorit të dhentarisë në komunën e Dragashit janë shumë të përshtatshme, por fatkeqësisht janë sezonale. “Ne sezonin e verës kushtet janë shumë të përshtatshme, dhe besoj që nuk ka kushte më të përshtatshme për zhvillimin e dhentarisë, sepse ka kullosa me një biodiversitet të shumëllojshëm dhe me ujëra të bollshëm, rrjedha të lumenjve, dhe një lartësi mbidetare të përshtatshme për kultivimin e deleve, që ja vlen me u marrë me dhentari sepse kullosat e shumta që janë me sipërfaqe mbi 35 mijë hektar, përbëjnë një resurs të mirë për zhvillimin e kësaj dege të blegtorisë”, theksoni këshilltari Sylejmani.
Sipas tij, dhentaria ka ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të komunës duke krijuar vende të reja të punës dhe të hyra të kënaqshme për ekonomit familjare. Mirëpo, siç tregon ai, ka vështirësi në gjetjen e punëtoreve që pranojnë të punojnë në sektorin e dhentarisë.
“Dhentaria ka ndikim në zhvillimin ekonomik të komunës sepse janë rreth 70 fermer me 9700 krerë dele, dhe nëse kanë të punësuar nga dy punëtor atëherë janë 140 të punësuar, por ka ferma që përveç 2 punëtorëve të rregullt kanë edhe punëtorë sezonal. Ne, llogarisim që janë rreth 500 punëtor që merren drejtpërdrejt më dhentari gjatë sezonit. Megjithatë, ka raste kur kërkohet punëtorë me pagë mesatare 350 euro në muaj dhe ka vështirësi në gjetjen e punëtorëve që pranojnë të merren me ruajtjen e deleve ose punëve tjera në blegtori.”, pohoi Sylejmani.
Ndryshe, sa i përket përkrahjes nga sektori publik, Ministria e Bujqësisë përkrah fermerët me subvencione. Sektori i blegtorisë do të mbështet përmes pagesave direkte, ku për dele qumështore fermerët do të subvencionohen me nga 10 euro për krerë. Aplikuesit duhet t’i plotësojnë disa kritere, për secilin sektor. Kështu që, blegtorët që merren me dhentari duhet të kenë minimum 30 krerë dhe në maksimum 500 krerë dele në prodhimtarinë aktive të qumështit./FermaIme/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.