Të enjten me kërkesë të një grupi të këshilltarëve të Kuvendit Komunal, në Dragash është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme.
Rendi i ditës kishte vetëm një pikë: Të merret vendim për ndërprerjen e investimeve të mëtejshme për ndërtimin e mini-hidrocentraleve në tërë territorin e Komunës së Dragashit, njofton OpojaSot.com.
Sipas parashtruesve të kërkesës ndërtimi i hidrocentraleve do ta rrezikonte biodiversitetin në komunë e Dragashit dhe do të dëmtonte turizmin.
Pas një debate të gjatë, kërkesa shkoi në votim.
Nga 27 këshilltarë komunal sa ka Dragashi në votim ishin të pranishëm 23 prej tyre.
Për anulimin e ndërtimit të hidrocentraleve votuan 15 asambleistë, kundër ishin 7 ndërsa një delegate abstenoi.
Për shkak se hidrocentralet do të ndërtoheshin në territorin e Gorës, nga 7 këshilltarët goran, 5 votuan bë favor ndërsa një kundër e një tjetër abstenoi.
Në bllokun e subjekteve politike shqiptare, situata ishte më e çuditshme.
Nga 10 asambleistët shqiptar që votuan për të ndaluar punimet, pjesa dërmuese ishin nga PDK, por në këtë mes ishin edhe asambleistët e Vetëvendosjes, AKR-së dhe AAK-së.
Megjithatë vlen për t’u theksuar se njëri ndër asambleistët më të zëshëm të PDK-së, Granit Rifaj ishte kundër vendimit për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve.
Edhe deputetët e pranishëm të LDK-së ishin kundër vendimit për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve./OpojaSot.com
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.