NATO: Kosova e Serbia të përmbahen nga veprimet që mund t’i rrisin tensionet

Opoja.net Opoja.net Sport

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë për shtensionim të situatës.

Në hyrje të Samitit të Vilniusit, para gazetarëve Stoltenberg ka thënë se NATO-ja është e shqetësuar për situatën në Kosovë dhe se palët duhet të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë më tej tensionet në rajon.

Në pyetjen e shtruar nga mediumi serb “Tanjug” se a do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Stoltenbergu ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me të dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për takim.

“Jam në kontakt të rregullt me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe sigurisht që jam gati të takohem. Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të de-përshkallëzohen dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë më tej tensionet në rajon. NATO-ja është e pranishme në Kosovë, ne kemi forcat e KFOR-it që janë atje për të garantuar siguri dhe stabilitet për Kosovën dhe njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e ekzekutojmë mandatin tonë të OKB-së në mënyrë të paanshme. Dhe NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë, ka shtuar disa qindra trupa shtesë të KFOR-it për shkak të paqëndrueshmërisë dhe dhunës dhe tensioneve që kemi parë gjatë javëve të fundit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga NATO-ja.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-