Bjeshka e Brodit në qytetin Dragashit, e cila bën pjesë në bjeshkët e Sharrit, përveç pamjeve të bukura në stinën e verës, dimrit ofron edhe një terren të skijimit i cili është përpunuar e përshtatur nga një biznes privat aty.
Pikërisht në terren të skijiit, gjendet një shtëpi e cila ishte ndërtuar diku në vitin 1985 dhe i përkiste Shoqërisë Provinciale të Gjuetisë- Pokrajinsko Lovacko Drushtvo.
Pas luftës së fundit në Kosovë, kjo shtëpi u shfrytëzua nga gjuetarët e kësaj komune, të mbledhur në Shoqatën e Gjahtarëve, të quajtur “Dhia e Egër”.
Nga viti 2010, kjo shtëpi filloi të shfrytëzohej nga Nait Hasani, ish-deputet i PDK-së dhe ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri. Aktualisht ka mbledhur votat për një mandat të ri si deputet nga radhët e PDK-së, në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Hasani mori leje për ta shfrytëzuar këtë parcelë për 5 vjet. Agjencia e Pyjeve në Kosovë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë i kishte lëshuar leje për ta shfrytëzuar këtë objekt nga viti 2010 drei në vitin 2015.
Sipas kësaj Agjencie dhe korespodencave zyrtare me institucionet tjera, Nait Hasani aktualisht nuk ka leje për të shfrytëzuar. Por, vetë Hasani e thotë të kundërtën. Madje tregon se në shfrytëzim e mori shumë më herët sesa leja që Agjencia e Pyjeve thotë t’ia ketë lëshuar.
“Jam unë shfrytëzuesi. Nuk është ministria, nuk është komuna, nuk është askush, jam unë shfrytëzuesi. Nëse ju duhet ju jepi najsen”, tha përmes telefonit Nait Hasani, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri.
Pyetje: Qysh e keni marrë në shfrytëzim?
Hasani: E kam marrë moti e kam marrë, prej 2007-ës e kam. Kam investu atje mbi 10 mjë euro për me rregullu 2 herë e kam ndërru kulmin, e kam ly brenda, e kam ndryshu krejt, gjithçka çka është dashtë. Ajo nuk ka vlerë sa investim kam bë.
Pyetje: Për sa vjet e keni marrë në shfrytëzim?
Hasani: Ajo është pa afat, është në shfrytëzim është.
Pyetje: Prej kujt e keni marrë në shfrytëzim? Nga cili institucion?
Hasani: Kur e kam marrë unë ka qenë Agjencioni i Pyjeve.
Për të kuptuar se nën kompetencat e kujt është kjo shtëpi dhe kjo parcelë e tokës, “Betimi për Drejtësi”, hulumtimin e nisi nga Komuna e Dragashit.
Përmes postës elektronike, Drejtori i Urbanizmit në këtë komunë, Bean Hadziasan ka thënë se në drejtorinë që ai udhëheqë nuk ka asnjë kërkesë për lëshim të lejes në emër të Nait Hasanit.
“Në fshatin Brod është e ndërtuar në vitet e largëta të ’70-ta të shekullit të kaluar i njohur me emrin “SHTEPI GJUETIVE”, e cila tani është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe me gjasë z.Nait Hasani është shfrytëzuesi i asaj shtëpie që është lëshuar nga AKP (qira)”, tha ai.
Në AKP, thonë se Shtëpia e Gjuetarëve në Brod nuk ka qenë e regjistruar si ndërmarrje shoqërore nën administrim të AKP-së. Sipas Ligjit të ri mbi pyjet, pronat e Shoqërive/Ekonomive të Gjuetarëve kalojnë në mandat të Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Agjencia e Pyjeve e cila gjendet nën Ministrinë e Bujqësisë thotë:
“z. Nait Hasani ka pasur kontratë për 5 vite të lidhur në mes të Agjencisë Pyjore të Kosovës në njërën anë, dhe z. Nait Hasani në anën tjetër e që e njëjta kontratë ka skaduar me dt. 29.03.2015. Nga ajo kohë pala, pra z. Hasani ka kërkuar vazhdimin e kësaj kontrate por që kërkesa e tij është refuzuar me arsyen se sipërfaqja në të cilën ishte objekti tani më ka kaluar në administrimin e Zonës së Mbrojtur të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe si e tillë APK nuk ka pasur kompetencë të veprimit brenda kësaj zone (kjo sipas Ligjit për parkun kombëtar “Sharri”)”.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit me nr. 04/L-087, Neni 4 tek Administrimi thuhet se: Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me vendim themelon Drejtorinë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” në afat prej tre (3) muaj nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Andaj, nga hyrja në fuqi e këtij Ligji dhe marrja e vendimit për themelimin e Drejtorisë për Parkun Kombëtar “Sharri” kjo sipërfaqe është nën administrimin e kësaj Drejtorie.
Përfaqësues të Parkut të Mbrojtur Sharr, po ashtu përmes postës elektronike kanë treguar se fshati Brod është shpallur “Park Kombëtar” në fillim të vitit 2013. Objekti për të cilin u pyetën, thonë se ka qenë i ndërtuar para se fshati të shpallej Park Kombëtar, dhe është ndërtuar nga Federata e Gjahtarëve, e cila edhe tani menaxhon me të.
“Në lidhje me menaxhimin e këtij objekti ju sugjerojmë që të drejtoheni të Federata e Gjahtarëve, respektivisht të Shoqata e Gjahtarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi”, ka thënë Nail Kryeziu, udhëheqës i Sektrit të Pylltarisë në DAPK Sharri.
Në Federatën e Gjahtarëve, e cila gjendet në Prishtinë, nuk kanë pranuar të prononcohen para kamere, por kanë treguar për “Betimi për Drejtësi” se ky objekt bashkë me parcelën e tokës asnjëherë nuk kanë qenë në shfrytëzim të Federatës që nga paslufta, dhe çështja e lejeve për shfrytëzim të kësaj ndërtese nuk janë kompetencë e Federatës.
Në arkivën e kësaj Federate në Prishtinë, gjendet një kërkesë të cilën Nait Hasani e ka bërë në dhjetor të vitit 2009, përmes së cilës Hasani ka kërkuar nga Federata që t’ia lëshojnë në shfrytëzim Shtëpinë e Gjahtarëve në Brod në afat prej pesë vjetëve me mundësi vazhdimi me arsyetimin se shtëpia ka mbetur në mëshirë të kohës e fatit, e parenovuar dhe e pamirëmbajtur dhe afër shkatërrimit. Me premtimin se do të investojë në të për t’ia ndërruar kulmin, dritaret, dyert e renovime të tjera.
Federata i është përgjigjur në fund të shkurtit të vitit 2010. Kryetari i atëhershëm i federatës, Rexhep Shkodra i ka thënë se shtëpia dhe sipërfaqja prej 3672 m2 në vendin e quajtur “Rosha Usna” siç figuron në certifikatë të pronës në zonën kadastrale në Brod të Dragashit, nuk evidentohet si pronë e paluajtshme e Federatës, por e Shoqatës Krahinore të Gjahtarëve, respektivisht e ish-Ekonomisë Krahinore të Gjuetisë, prandaj për çfarëdo vendosje në lidhje me çështjen e lejes së shfrytëzimit, kjo Federatë nuk është kompetente.
Udhëheqësi i Shoqatës së Gjahtarëve “Dhia e Egër” në Dragash, përmes telefonit, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë: “Ne nuk e kemi në mbikëqyrje këtë objekt, as kurrë nuk e kemi pas. Tash që kemi nënshkuar kontratë me Komunën e Dragashit për shfrytëzimin e objekteve të Gjahtarëve, ky objekti i vjetër nuk është i përfshirë, andaj ne as nuk jemi pronarë të saj e as nuk e dimë kush e shfrytëzon. S’kemi as një dokument për të”.
Hasani, i cili nuk pranoi të intervistohej me kamerë, me arsyetimin se çka po thotë përmes telefonit mjafton, në bisedë e sipër vë në kundërthënie deklaratat e veta. Njëherë duke thënë se ministria nuk i ka kthyer përgjigje për vazhdim të lejes së shfrytëzimit, pastaj duke thënë se lejen e ka të paafatshme, por që nuk ka dokument për të.
Pyetje: Pse, pse po ashtu nga Agjencioni i Pyjeve, në një përgjigje që na kanë kthy, na kanë thënë që ju e keni pas në shfrytëzim deri në vitin 2015, pastaj keni bërë kërkesë për vazhdim të lejes por që nuk u kanë kthy përgjigje sepse nuk ka qenë objekti nën menaxhimin e tyre?
Hasani: Ajo është problem tjetër. Ajo nuk është problemi jem. A po e kupton?
Pyetje: Po qysh je në shfrytëzim kur të ka kalu afati i lejes së shfrytëzimit?
Hasani: Jo s’ka kalu leja, unë kam bë kerkesat krejt i kam bërë. Krejt jam në rregull.
Pyetje: Pas vitit 2015 në cilin institucion e keni bërë kërkesën?
Hasani: Po ato kanë kalu, kanë ndryshu, ata vetë i kanë ndryshu ato. Unë nuk kam ndryshu kurrëgjë. Unë shtëpinë e kam qatje, jam në shfrytëzim qatje. Unë nuk e kam ndryshu as shtëpinë, as vendin, as lokacionin. Ministritë që i lëvizin ato është çështje e tyre jo e imja.
Pyetje: Po veç ministria më ka thënë që kur është bërë Ligji për Zonat e Mbrojtura, më kanë thënë që ai objekt ka kalu si zonë e mbojtur e Sharrit dhe më nuk janë përgjegjës ata, prandaj kur ju keni bërë kërkesë për me vazhdu lejen, në vitin 2015, nuk ua kanë vazhdu sepse nuk ka qenë në përgjegjësi të tyre më. Prandja po them…
Hasani: Ata mu nuk më kanë kthy përgjigije, unë e kam në shfrytëzim, ata nuk më kanë kthy përgjigje edhe kjo është qikjo.
Pyetje: Prej kujt e ke marrë në shfrytëzim?
Hasani: Ta thash, nga Agjencioni i Pyjeve.
Pyetje: Dhe shfrytëzimin e ke të paafatshëm?
Hasani: Nuk ka afat, sepse nuk kam një afat. Sepse nuk më kanë kthy për me pasë një afat. Është pa afat.
Pyetje: A mundesh me na dërgu në ndonjë platformë komunikimi atë lejen e shfrytëzimit që e ke të paafathme?
Hasani: Prej 2015-ës, në 2024 jemi e nderume.
Pyetje: Po?
Hasani: 2024, prej 2015-ës kur është bërë kërkesa, vazhdimi, sa larg jemi, 9 vjet jemi. Dokumentet me i pas në arkivë hupin e le ma. Ministria duhet me i pas dokumentet, unë nuk kam. Nuk muj me i gjetë sepse kam dosje kallabllak.
Në fakt, në dokumentet e pronësisë kadastrale, në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, figuron që, kjo parcelë e tokës bashkë me shtëpinë, në vitin 2017 ka kaluar në pronësi të Republikës së Kosovës. Në përshkim të informatave për këtë të dhënë thuhet se kjo ka ndodhur “sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 01.03.2017 dhe vendimit të AKK-së të datës 16.03.2017″.
E në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 1 mars të vitit 2017, nën qeverisjen e Isa Mustafës, thuhet se “të gjitha pronat e paluajtshme të regjistruara në emër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të Republikës së Jugosllavisë, të Republikës Socialiste të Serbisë, përkatësisht të Republikës së Serbisë dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Koovës, duke përfshirë, por pa u kufizuar në organet e tyre shtetërore, administrative, ushtarake dhe ish- organizatat shoqërore-politike të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e këtyre pronave të paluajtshme“.
Dhe pika dy e këtij vendimi i kërkon Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të bëjë regjistrimin e pronësisë së këtyre pronave sipas kërkesës së lartpërmendur.
Nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, kanë deklaruar se me këto prona menaxhon direkt Zyra e Kryeministrit në Qeverinë e Kosovës.
“Të gjitha pronat të cilat e kanë pas ndonjë shkurtesë që ka qenë e përfshirë ish-Jugosllavia, me atë vendimin që e paskeni ju, kanë kalu në emër të Republika e Kosovës, por faktikisht, ne, për shkak se nuk ka pas institucione që kanë qenë sikur këto të themeluara në ish-Jugosllavi, edhe tash në shtetin tonë edhe nuk kemi regjistru përshkrim shtesë, që me u ditë edhe në regjistër se kush e menaxhon atë. Dhe faktikisht sa herë ka pengesa për mënyrën e informimit se kush e menaxhon, ne, palët e interesit i drejtojmë te Zyra e Kryeministrit, faktikisht që Qeveria e Kosovës menaxhon me të gjitha ato prona që shënojnë në emër të Republika e Kosovës. Edhe në rast të, se unë jam edhe i asaj ane. Ajo ka qenë shtëpia e gjuetarëve, dhe mendoj që në kushte normale ish deshtë me qenë, nëse ka ndonjë shoqatë të gjahtarëve të Komunës së Dragashit ose territorit të Prizrenit, kështu nuk kam informata, por zyrtarisht menaxhon Qeveria e Kosovës. Nëse duhet me u dhënë në shfrytëzim, ose nëse duhet me u bë ndonjë tjetërsim ose diçka, shkon vetëm përmes Qeveris së Kosovës, Zyrës së Kryeministrit“, tha përmes telefonit Nadir Shyqeriu, zyrtar në Agjencinë kadastrale të Kosovës.
Menor Borovci, Drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrt, ka thënë përmes telefonit për “Betimi për Drejtësi”, se zyra ligjore nuk merret me shqyrtimin e rasteve individuale. Për prona publike, është përcaktuar që të themelohet një zyrë, njësi për prona publike, që merret me pronat publike, por që akoma nuk është themeluar.
Ndër të tjera, ai ka sqaruar se nuk ka kërkesa për shfrytëzim të pronave shtetërore nga persona privatë, madje një gjë e tillë as nuk lejohet. Individi, pronën e shtetit nuk lejohet ta shfrytëzojë, sepse ato janë në interes publik dhe si të tilla jepen në shfrytëzim veç në rastet kur ka interes publik.
Nuk lejohen lejet për shfrytëzime individuale madje deri tani as nuk kanë pranuar kërkesa të ngjashme e as për rastin e Nait Hasanit që “Betimi për Drejtësi” e kishte pyetur.
Sipas Borovcit, meqë njësia për shqyrtimin e kërkesave për shfrytëzimin e pronave publike akoma nuk është themeluar dhe meqë në këtë drejtim ekziston një hendek, kur ka kërkesa për shqyrtim të pronave publike, ato adresohen në zyrë të kryeministrit nga ministritë e caktuara për qëllime të caktuara.
Si përfundim, prona në të cilën është gjendet shtëpia e gjahtarëve e ndërtuar shumë vite më parë, e që aktualisht shfrytëzohet pa leje nga Nait Hasani, gjendet nën administrimin e Zyrës së Kryeministrit. Aty, leje për të shfrytëzuar këtë shtëpi nga Nait Hasani nuk ka. Ky i fundit, vazhdon të shfrytëzojë këtë pronë, pa leje që nga viti 2015. /BetimipërDrejtësi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.