Muzeu etnologjik se shpejt do të jet i hapur edhe për vizitorët

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Sot me 12 nëntor 2015 vizituam me nxënësit e klasës X-3 muzeun etnologjik të Dragashit, në orën e Trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të projektit të financuar nga CHWB dhe Kuvendi komunal i Dragashit u formua Forumi komunal i Trashëgimisë kulturore e historike, për identifikimin e objekteve të paluajtshme për restaurim ose meremetim dhe përparësi iu dhanë këtyre objekteve: Namazgjahut, objekt kulti islam që ndodhet në Buzez të Opojës; Tyrbja e Selim Dedës në fshatin më të madh të komunës sonë Restelicë, Mulliri në hyrje të Dragashit, në Bellobrad mulliri dhe valanica, mulliri në fshatin goran Leshtane, shtëpia e Ismail Abazit në Bresanë dhe Muzeu etnologjik në qytezën e Dragashit, ku është bërë grumbullimi i veshjës tradicionale opojane e gorane, vegla pune bujqësore dhe blegtorale, gjëra shtëpiake të kohës së shkuar dhe armë të ndryshme.

Muzeu etnologjik do t’u jap mundësi të interesuarve të njohin më shumë traditat dhe vlerat e trashëgimisë kulturore të kësaj komune pasi që tashmë shumë gjurmë të lashtësisë janë të mbledhur në këtë muze, andaj shfrytëzoi rastin që ti falënderoi publikisht të gjithë ata që kontribuuan në sjelljen e artefakteve muzeale.
Pra, muzeu etnologjike nga banorët e komunës sonë cilësohet si shumë i rëndësishëm i cili ndihmon shumë në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe njoftimit të njerëzve me këto vlera.
Muzeut Etnologjik i komunës së Dragashit do të jetë një ndër perlat e rralla për vizitorët që do ta vizitojnë këtë komunë qoftë në mënyrë të organizuar qoftë individuale.
Së shpejt do të bëhet edhe inaugurimi i këtij muzeu dhe viti 2015 do të jetë vit i muzeut etnologjik.
Që nga momenti i hapjes së këtij objekti si muze, do të jetë e hapur ekspozita e përhershme në të cilën paraqitet mënyra e jetesës së opojanëve dhe goranëve gjatë shekujve XVIII – XX.
Dhoma me hamamxhik.

Në një kënd do të ekspozohen veshjet tradicionale opojane dhe gorane, të cilat i përkasin shekullit XIX dhe XX-të.
Dhoma e lindjes si dhome e çiftit bashkëshortor me elementet përcjellëse si shtrati, arka e pajës (çejzit) dhe djepi.
Në dhomën e artit popullor paraqitet mjeshtëria artizanale kombëtare e zbatuar në objektet e materialit të dheut, drurit dhe metalit. Ato janë kryesisht eksponate që përdoreshin në ekonominë shtëpiake, të punuara nga mjeshtërit shqiptarë me teknikë dhe elemente të veçanta dhe me motive vendore.
Këndi i ngrënies së ushqimit me sofër druri me shkama për ulje të anëtareve të familjes, enët e drurit si luga.
Ftini dhe enë të tjera që shërbenin rreth produkteve të qumështit si djathi gjiza, kosi, dhallti.
Aty janë edhe instrumentet muzikore si lodra, primi, çiftelia etj.

Sipas mendimit tonë interesimi për ta vizituar këtë muze do të jetë solid nga vizitorë ndërkombëtarët dhe mërgimtarët të cilët do të shfrytëzojnë pushimin veror për t’i njoftuar fëmijët me traditën dhe kulturën e tyre. Po ashtu nxënësit duke filluar nga parashkolloret e deri të shkollat e mesme përmes vizitave grupore do ta njohin të kaluarën e brezave tonë.
Muzeu Etnologjik i Dragashit pa dyshim do të jetë vend ku do t’iu mundësohej një udhëtim prapa në kohë dhe ku gjithsecili do të ndihet krenarë për vlerat kulturore dhe identitare që u përket.
Falënderojmë këta persona që e ndihmuan muzeun: Hylki Hasanin, Servet Qafleshin, Vetim Sadikajn, Seladin Baxhakun, Valent Qafleshin, Agim Gurin, Mitat Krasniqin, Suad Tosunin etj., që sollën dhe pasuruan muzeun.
Luten të gjithë ata që posedojnë gjësende që i përkasin trashëgimisë kulturore e historike të Opojës dhe Gorës, ti sjellin dhe ta pasurojnë sa më shumë këtë muze me kulturën e tyre shekullore.

Shiko Foto Albumin me foto nga Muzeu Elnologjikë në Dragash KËTU.

Shkruar nga Muharrem Qafleshi


© Opoja.net. Të gjithë të drejtat e mbrojtura.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-