Mungesa e të dëmtuarve Arben dhe Dashurim Kryeziu, ka bërë që të dështoj seanca e paraparë të mbahet të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, për rastin ku Nuridin Qafleshi po akuzohet për sulm.Për të dëmtuarit Kryeziu, gjyqtarja e çështjes, Sabaheta Kurteshi, ka thënë se nuk ka fakte se janë ftuar në mënyrë të rregullt, pasi që siç shihet nga shkresat e lendes, të njëjtit jetojnë jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së mërkurës nuk ka qenë prezent as dëshmitari Islam Qafleshi, për të cilin u bë e ditur se personalisht e ka lajmëruar gjykatën se nuk ka mundësi të prezantoj në shqyrtim gjyqësor, pasi që gjendet jashtë vendit.Prezent ka qenë i pandehuri Nuredin Qafleshi, dëshmitari Qlirim Myrtezani dhe prokurorja Elfete Purova.Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë, kurse ajo e radhës është caktuar për 23 shtator 2020, në ora 10:00.Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Mustafë Qafleshi, mirëpo procedura ndaj tij ka përfunduar në shqyrtimin e mëhershëm.
Sipas aktakuzës së ngritur me 15 nëntor 2016, Nuredin dhe Mustafë Qafleshi akuzohen se me 20 gusht 2016, rreth orës 17:50, në fshatin Bellobrad, me dashje përdorin forcë ndaj të dëmtuarve Dashurim dhe Arben Kryeziut, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke pirë kafe në kafiterinë “Gazi”, së bashku me disa shokë, i pandehuri Mustafë Qafleshi i afrohet, me këmbë e godet tavolinën dhe grushton të dëmtuarin Arben Kryeziu.Në atë moment i dëmtuari i drejtohet me fjalët “ngadalë, t mirremi vesh se çka është problemi, se vëllau im nuk është fajtor”, të pandehurit i sulmojnë duke i goditur dhe tërhequr zvarrë për tokë, me ç’ rast i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Dashurim Kryeziu.Me këtë, ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “sulm”, e paraparë me nenin 187, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.