Basri Konjuha dhe Ahmet Grajçevci, dy punëkërkues të regjistruar në Zyrën e Punësimit në Obiliq, të cilët prek kohësh kanë qenë në kërkim të një vendi pune stabil, tashmë kanë nisur punën në restorantin “Jara”, në Obiliq.
Basriu u punësua në restorant si kuzhinier. Aftësitë e tij kulinare menjëherë kanë zgjuar interesimin e klientëve për të shijuar gatimet e tij dhe as maska e vendosur në fytyrë nuk ia fsheh kënaqësinë që e ndien teksa nxjerr ushqimet nga furra.
Nga ana tjetër, Ahmeti, i punësuar si kamerier kujdeset që ushqimet t’i servojë për klientët. I ri dhe energjik, qëllimet e tij janë që të përfundojë secilën ditë në mënyrë efektive dhe të mbështesë familjen e tij. Ahmeti fton bashkëmoshatarët e tij që të regjistrohen si punëkërkues dhe të përfitojnë nga programet e punësimit në dispozicion të tyre.
Të dytë, Basriu dhe Ahmeti janë mbështetur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale-Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës me programin e subvencionimit të pagës, nëpërmjet të cilit veçmas punëkërkuesve, po përpiqemi ta lehtësojmë edhe punën e bizneseve në Kosovë.
Përballja me pandeminë Covid-19 ka vështirësuar gjendjen ekonomike rrjedhimisht, mirëqenien e familjeve në Kosovë dhe si përgjigje e menjëhershme ndaj situatës aktuale, MPMS-ja ka intensifikuar mbështetjen për punëkërkuesit në Kosovë, nëpërmjet programeve të ndryshme në kuadër të masave aktive të tregut të punës.
MPMS-ja, në bashkëpunim me partnerët e saj, siç është Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, ka shpallur këtë vit Programin për subvencionimin e pagës, Programin e vetëpunësimit, atë të Trajnimit në punë dhe po vazhdon ta ketë të hapur fazën e dytë të Programit të vetëpunësimit për mbështetje të punëkërkuesve të riatdhesuar, në Kosovë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.