Mjeku nga Prizreni i pasionuar pas teknologjisë, bleu pajisjen më të fundit ultrasonografike

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Shëndeti

Prof. Dr. Selami Sylejmani njihet si një nga mjekët që investon më së shumti në teknologjitë e reja mjekësore në Kosovë.

Prof. Sylejmani këto ditë është pajisur me një sistem të ri ultrasonografik, i promovuar në botë vetëm dy muaj më parë dhe sipas tij, pajisja më e avancuar ultrasonografike që është prodhuar deri tash.

Por, çfarë është kjo pajisje dhe si do ta ndihmojë Dr. Selamiun në zgjidhjen e rasteve komplekse gjinekologjike, obstetrike dhe sëmundjeve të gjirit, na tregon ai në këtë intervistë dhënë për Gazeta Shneta.

Shneta: Prof. Sylejmani, urime për pajisjen tuaj të re. A mund të na flisni, çka e bënë unike këtë pajisje ultrasonografike dhe çka sjell të risi në rutinën tuaj të punës?

Për të u përgjigjur në pyetje Tuaj se çka e bënë unike dhe çka sjell risi në punën time, do të ju sjelli një historik të shkurtër të diagnostikës ultrasonografike në përgjithësi në botë.

Pionieri i diagnostikës ultrasonografike në botë është mjeku gjinekolog në Glasgow, Ian Donald (1910 – 1987), i cili për herë të parë në vitin 1960 me aparatin e parë ultrasonografikë të quajtur Diasonograph.

Sir Ian Donald

Gjatë periudhës së studimeve pasuniversitare në vitin 1987 – 1988, në Zagreb të Kroacisë, në drejtimin “ULTRAZËRI NË MJEKËSINË KLINIKE”, nën drejtimin e profesorit të mirënjohur dhe me famë botërore Prof. Asim Kurjak, ku dhe falë këtij kolosi të shkencës, Zagrebi në atë periudhë ishte edhe pjesë Organizatës Botërore të Shëndetësisë për aplikimin e ultratingullit në mjekësi, me përkushtim dhe entuziazëm u përgatita për përdorimin e diagnostikës ultrasonografike në gjinekologji, obstetrikë dhe sëmundjet e gjirit.

Aparatura me të cilën punonin në Zagreb në atë kohë ishte fjala e fundit e teknologjisë për atë periudhë. Të dhënat që fitoheshin pas një vizitë ultrasonografike në atë periudhë ishin shumë të rëndësishme. Mirëpo, sikur i ndjeri Prof. Ian Donald të ishte sot gjallë, nuk do të besonte se kjo metodë diagnostike do të arrinte kaq larg! Pra nga Diasonografi i vitit 1960 deri në Voluson Expert 22 i vitit 2022, ka përparuar aq shumë teknologjia dhe cilësia diagnostikës ultrasonografike në aspektin e rezolucionit, sa që as vet ideatori i kësaj metode të diagnostikimit, i ndjeri Ian Donald, nuk do të mund të besonte një avancimi kaq të hovshëm dhe kaq cilësor.

Pra, pajisja ime e fundit e diagnostikës ultrasonografike, Voluson Expert 22, është pajisje unike, fjala e fundit e teknologjisë ultrasonografike, e cila ka dal në treg në muajin Korrik të këtij viti. Këto ditë që fillova punën me këtë pajisje u entuziazmova dhe fillova të mendoj se ky është kulmi teknologjisë së diagnostikës ultrasonografike, dhe nuk ka se ku më shumë të avancoj. Mirëpo, i njëjti mendim i imi ka qenë edhe për pajisjen paraprake për Vuloson E 10, i cili gjithashtu është shumë cilësor. Thënë shkurt, shkenca avancon, teknologjia avancon dhe kur këto dy behën bashkë, atëherë lindin cilësi të reja siç është rasti me Voluson Expert 22.

Prof. Dr. Selami Sylejmani dhe pajisja e tij e re ultrasonografike

Nën pyetjes së juaj se çka sjell risi në rutinën e punës time, do të ju përgjigjëm shumë shkurt! Ky aparat sjell siguri në punë, cilësi në diagnostikimin e hershëm dhe me kohë e proceseve eventuale patologjike në lëmin e gjinekologjisë, obstetrikës dhe sëmundjeve të gjirit, si dhe kënaqësi që unë me punën time profesionale mundëm të ofroj kontribut në mbrojtje të shëndetit të popullit tim.

Shneta: Si vendosni ta bëni një investim kaq të madh, duke qenë një nga mjekët e parë në Evropë që keni porositur këtë pajisje?

Është e sekt që investimi për rrethanat mundësit e mia është shumë i madh. Për këtë e falënderoi Bankën Raiffeisen, dhe nëpërmes saj edhe BERZH-in (Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) që më mundësuan të bëj këtë investim të madh. Vendosa të bëj këtë investim me qëllim që të pajisem me një pajisje shumë cilësore e cila do të bëhet vegël e fuqishme në diagnostikimin sa më të hershëm dhe sa më të saktë, aq sa mundëson dhe ofron kjo teknologji të proceseve të ndryshme fiziologjike dhe patologjike në mbrojtje të shëndetit të pacienteve të cilat do të më besojnë shëndetin e tyre. Pse i pari në Evropë? Shqiptarët në përgjithësi dhe ne kosovaret në veçanti duhet t’i tregojmë edhe Evropës se, jemi popull që përpiqemi të bëjmë punë të mira, dhe vrapojmë dhe do të vrapojmë pas punëve të mira të cilat shkojnë në të mirë të mirëqenies së përbashkët të popullit tonë në të gjitha lëmit e jetës.

Shneta: Ju jeni pionieri i diagnostikës ultrasonografike në Kosovë dhe shquheni si mjek i pasionuar pas teknologjisë së fundit mjekësore. Si e shpjegoni këtë “ves” tuajin?

Pas përfundimit të specializimit në lëmin e gjinekologjisë me obstetrikë, dhe pas përfundimit të studimeve pasuniversitare në lëmin e aplikimit të ultrazërit në mjekësi në Zagreb të Kroacisë, kthehem në Prizren në Qendrën Medicinale “Boro e Ramizi” në Prizren më 23.08.1989, ku themelova kabinetin e diagnostikës ultrasonografike, i cili që në atë kohë falë punës me përkushtim tim, u bë qendër e diagnostikës ultrasonografike për gjithë regjionin dhe më gjerë.

Prof. Dr. Selami Sylejmani

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe privimit të popullatës shqiptare nga të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive, pasuan, përpos tjerash, edhe dëbimi i të gjithë punëtorëve shëndetësorë shqiptarë nga institucione shëndetësore në mbarë Kosovën. Në kuadër të kësaj fushate, më 14.10.1992, përjashtohet nga Reparti Gjinekologjik-Obstetrikë i Spitalit të Prizrenit, së bashku me Kryeshefen e Repartit Gjinekologjik-Obstetrikë Dr. Jëlldëze Gorani, e cila ishte përjashtuar muaj më parë.

Në këtë situatë shumë të rëndë për mua dhe familjen time, u detyrova për mbijetesë të themeloj institucionin privat shëndetësor Ambulancën gjinekologjike GINEKOS, në Prizren. Pasi kisha investuar shumë në përfitimin e dijës në lëmin e diagnostikës ultrasonografike falë institucioneve shëndetësore, arsimore, dhe shkencore të Universitetit të Zagrebit, pasioni im në këtë lëmi tanimë u bë “ves”. U bë “ves” sepse për të arritur rezultatet maksimale në punën e përditshme të mjekut, pos mësimit dhe studimit gjatë gjithë jetës, duhet të përcjellën edhe risitë në teknologji, sepse pa aparaturë cilësore nuk mund të arrihen rezultat maksimale.

Shneta: Çfarë sigurie diagnostikuese Ju ofroni pacienteve Tuaj me pajisjen e re?

Diagnostika ultrasonografike në gjinekologji dhe obstetrikë, është metodë e cila është e padëmshme edhe nëse përsëritët. Ajo nuk ka rrezatim, sepse kjo teknologji nuk punon me rreze jonizuese por me ultratinguj të cilët nuk i dëgjon veshi i njeriut dhe frekuenca e ultratingujve që i përdorë kjo teknologji për qëllime diagnostike lëkundet nga 1-20 Mhz. Kjo i mundëson mjekut të zbatojë të ashtuquajturin parimin ALARA të aplikimit të ultratingullit (as low as reasonably achievable – aq sa më e ulët që të jetë e mundur). Me TI më pak se 2 dhe MI më pak se 0.3, nuk u regjistruan asnjë efekt negativ në modelet e kafshëve. Pra, diagnostika ultrasonografike nuk bënë të keqpërdoret as nga mjeku e as nga pacientet. Në këtë drejtim, pajisja e re ju ofron siguri dhe cilësi maksimale. Kjo pajisje në duart e profesionistit, është vegël e fuqishme në mbrojtje të shëndetit të pacienteve.

Pajisja e sapo-instaluar tek Poliklinika Ginekos

Shneta: Cila është porosia e juaj për mjekët e rinj të Kosovës?

Për mjekët e ri të Kosovës, unë mund të them se jem model se si ata mund të arrijnë edhe shumë e më shumë se unë! Pse, sepse unë jem shkolluar në kushte shumë e shumë të vështira materiale, dhe kam kaluar shumë periudha të vështira në jetë, ku nga ish regjimi, më 13 Prill të viti 1981, duke shërbyer si mjek në Shtëpinë e shëndet në Dragash, burgosem dhe përjashtohem nga puna, vetëm e vetëm pse përkrah demonstratat e vitit 1981 dhe kërkesën e tyre për Kosovën Republikë. Në atë periudhë unë u bëra i papërshtatshëm moralo – politikisht për pushtetin e asaj periudhe, ashtu që pas daljes nga burgu, nuk më pranonte në punë asnjë institucion shëndetësor edhe pse kishte shumë nevojë për mjek. Një kohë u detyrova të bëj punë fizike duke dal në vende për tu shitur si punëtor krahu për punë fizike.

Kjo ndodhi derisa një ditë ish drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Podujevë Dr. Muharrem Avdija, me të cilin kam qenë në shërbimin ushtarak në ish APJ-së, më ftoi dhe së bashku shkuam te Sekretari i Komiktetit i asaj periudhe nëse nuk jem gabim Jetulla quhej, për të marr leje që unë të mund të punoj në Shtëpinë e Shëndetit në Podujevë. Më kujtohet kur Dr. Muharrem Avdija i shpjegoi Sekretarit të Komitetit (Jetulla) se pse unë jem i papërshtatshëm dhe nuk më pranojnë në Dragash, në Prizren e në vende të tjera, ky i tha Dr. Muharremit: a ke nevojë ti për mjek, dr. Muharremi iu përgjigj se po, sepse në Orllan nuk kam mjek dhe ka shumë nevojë Orllani me rrethinë për një mjek, atëherë Z. Jetullahi iu përgjigj, merre, punësoje dhe qo të punoje se ky nuk ka popullit me ju shpjegua marksizëm e leninizëm. Kështu, në Orllan fillova të ringrihem sërish si mjek.

Vazhdova luftën për dije, pasionin për ti ofruar pacientit shërbimin më të mirë që mundem. Në vitin 1992, nga drejtori i përdhunshëm i asaj periudhe Dr. Borivoje Zivgareviq sërish për shkaqe politike përjashtohem nga puna, dhe tani detyrohem të filloj të punoj privat.

Pra, jeta më mësoi se përkushtimi maksimal ndaj dijës, korrektësia gjatë punës me pacientë (konsidero dhe trajto pacientin si prind, vëlla motër fëmijë gjegjësisht si të afërm tuajin) si dhe përcjellja e teknologjisë, është investimi më i mirë në profesionin e mjekut për të ofruar më të mirën për pacientin.

Një gjë duhet të mos harrojmë betimin e Hipokratit, dhe të mos keqpërdoret profesioni i mjekut. Ata që besojnë në Zotin, ata nuk e bëjnë, ndërsa ata që nuk besojnë, një ditë mund të ballafaqohen me ligjin dhe shtetin. /Gazeta Shneta/

Pamje gjatë instalimit të pajisjes Voluson (foto: Prof. Dr. Selami Sylejmani)
/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-