Një ditë, një plak takon një djalë të ri i cili e pyeti:
– A më mban mend, mësues? Plaku i thotë “Jo”.
Pastaj i riu i tregoi se ishte ish nxënësi i tij. Mësuesi e pyeti:
– Dhe, çfarë pune bën tani?
I riu përgjigjet:
– Epo, edhe unë jam mësues.
– Oh, sa bukur, si unë, i tha plaku!
– Epo … po. Në fakt unë u bëra mësues, sepse ti më frymëzove që të bëhem si ti!
Plaku, kurioz, e luti të riun t’i tregonte pse. Dhe i riu i tregoi këtë histori:
– Një ditë, një shok i klasës erdhi në shkollë me një orë të re e të bukur dhe unë ia vodha atë. Menjëherë pas kësaj, shoku im e vuri re vjedhjen dhe menjëherë u ankua teti. Ti na the gjithë nxënësve të klasës që një orë është vjedhur dhe ai që e ka vjedhur le ta kthejë orën. Unë nuk e ktheva sepse më pëlqente ora dhe nuk doja ta ktheja.
Pastaj ti e mbylle derën dhe na the të gjithëve që të ngriheshim në këmbë sepse do t’i kontrolloje xhepat tanë një nga një. Por së pari, na the që t’i mbyllim sytë. Kështu dhe bëmë dhe ti fillove të kërkosh xhep për xhep e çantë për çantë. Kur erdhe tek unë, e gjete orën dhe e more.
Edhe pse e gjete orën, vazhdove të kërkosh në xhepat e të tjerëve. Kur mbarove së kërkuari, the:
– Tani hapni sytë, ora u gjet!.Ti kurrë nuk më the asgjë dhe kurrë nuk e përmende episodin. Kurrë nuk e përmende se kush ishte ai që e vodhi orën. Atë ditë ti ma shpëtove dinjitetin tim. Ishte dita më e turpshme e jetës sime. Ti kurrë nuk më the asgjë, edhe pse e dije që unë e kisha vjedhur orën. Kurrë nuk më qortove e as më thirre për të më dhënë një mësim moral. Unë e kuptova qartë mesazhin. Dhe, falë kësaj ngjarjeje, unë e kuptova se kjo ishte ajo gjëja e vërtetë që një edukator i mirëfilltë duhej ta bënte. E mbani mend këtë episod, mësues?
-Më kujtohet situata, ora e vjedhur, kontrolli nëpër xhepat e çantat e të gjithëve, por nuk të mbaj mend, sepse edhe unë i kisha sytë e mbyllur gjatë kohës që i kontrolloja xhepat!
Ky është thelbi i mirësjelljes. Nëse për të korrigjuar ju duhet ta poshtëroni dikë, atëherë nuk jeni mësues e edukator i mirë.
(e huazuar)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.