Sot njerëzimi është duke u përballur me probleme dhe mëkate më shumë se kurrë më parë. Mëkatet e përfshijnë si valët e detit dhe i servohen në çdo hap si në pjatë. Atyre mund tu rezistojnë vetëm ata që kanë besim të fortë dhe moral të lartë. Megjithatë, edhe ata që nuk i prek zjarri i mëkatit, do ta ndjejnë erën e tymit.
Në mënyrë të veçantë brezi i ri është i ekspozuar ndaj sprovave të ndryshme, andaj e kemi detyrim që të bëjmë gjithçka që mundemi e t’i mbrojmë ata, por edhe vetveten bashkë me ta. Sepse mëkati tashmë nuk është në oborrin dhe në shtëpinë e fqinjit tanë, por mëkati ka hyrë edhe në shtëpitë tona, në dhomat tona të ndejës dhe në dhomat tona të gjumit.
Të gjithë ne, në përgjithësi, jemi duke u përballur me të njëjtat probleme dhe mëkate. Ky mëkat potencial quhet laptop, që me lehtësi mund ta bartim në çantë kudo që të shkojmë.
Mëkati i dytë potencial e ka bërë folenë nën jastëk, por edhe në xhep ai është gjithmonë me ne. Ky është telefoni celular, i cili ka operacione gati si laptopi dhe kompjuteri. Njeriu modern, gati e ka të paimagjinueshme jetën pa këto pajisje, të cilat kanë rol shumë të dobishëm, por edhe rol shumë të dëmshëm. Në to është shumë e lehtë qasja në të gjitha gjërat e dobishme dhe hallall, por edhe në ato që janë të dëmshme dhe haram.
Nuk ishte shumë moti, kur vetëm disa shtëpi kanë pasur TV aparate, dhe aty mblidheshin gati tërë fshati. Pastaj erdhën TV me ngjyra, video rekorderët, ndërsa sot janë ekranet LED, me foto të tilla që njeriu të ndjehet më mirë se në natyrë apo në ndonjë ndeshje sportive. Dhe, me të vërtetë, kjo është fenomenale!
Njeriut i ofrohen bukuri të atilla të cilat shkaktojnë admirim të papërshkrueshëm me Krijuesin i Cili i krijoi të gjitha. Natyrisht, të jemi të qartë, njeriu nuk krijon asgjë, ai vetëm e zbulon atë që ekziston dhe që e ka krijuar Krijuesi ynë i Plotfuqishëm, Allahu i Madhërishëm. Krejt kjo me qëllim që ne ta ‘vërejmë’ Atë: “Në gjithçka që ekziston, ka shenja të ekzistencës së Tij!”, por edhe që në mënyrë të arsyeshme dhe vullnetarisht të shkojmë Rrugës që na ka trasuar Ai, për të arritur kënaqësi dhe lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.
Dhe kështu, duke ndërruar me qindra kanale, duke kërkuar një program interesant, shumica e njerëzve shpenzojnë me orë të tëra para televizorit, derisa të lodhen, e pastaj ulen në laptop ku ju ofrohet një numër i madh i temave dhe programeve hallall, por për fat të keq edhe të gjitha llojet e haramit. Allahu i Madhërishëm na udhëzoftë në atë që është hallall dhe e dobishme, dhe na ruajtë nga programet e dëmshme dhe nga harami.
Pasi kënaqet me laptop, e merr telefonin e vogël celular. Mëkati ka hyrë në shtëpitë tona dhe në dhomat tona të gjumit.
Mëkati është përhapur, ka pushtuar dhe ka rrethuar çdo gjë në kohën e tanishme. Deshëm apo nuk deshëm, pak a shumë, të gjithë ne po biem në mëkat, sidomos kur jemi të vetmuar.
Le ta dëgjojnë një hadith, në të cilin e kemi një paralajmërim të Pejgamberit savs, i cili na bën të dridhemi:
“Me të vërtetë unë di me siguri njerëz nga umeti im, që do të vijnë në Ditën e Gjykimit me vepra të mira si malet e mëdha të bardha, por që Allahu i Plotfuqishëm do t’i bëjë ato si pluhuri i shpërndarë. Ata janë, me të vërtet vëllezërit tuaj, nga vetë ju. Edhe nga nata marrin atë që edhe ju merrni! I kryejnë farzet!!! E falin edhe namazin e natës, gjithashtu! Por ata njerëz, kur janë vetëm me ndalesat e Allahut – I BËJNË ATO!!! (Ibni Maxhe dhe Bejhekiu)
Pra, nuk do të jenë ato vepra të vogla të mira, por si malet, mirëpo Allahu i Plotfuqishëm do t’i shndërrojë në pluhur të cilin do ta shpërndajë era! Do të zhduken ato veprat e mira! Allahu ekber! Ata nuk janë muslimanë të zakonshëm, por ata janë që i kryejnë farzet, dhe gjatë natës – derisa të tjerët flenë – ata falin nafile. Ata janë muslimanë të mirë.
Pra, çfarë është mëkati i tyre? Ata janë muslimanë të cilët kur janë në vetmi i tejkalojnë kufijtë e Allahut, kur askush nga njerëzit nuk i sheh, ata bëjnë haram / mëkat. Allahu ekber!
Ata i harrojnë fjalët e Krijuesit:«Ai është me ju (u sheh) kudo që gjendeni, dhe çkado që punoni, Allahu i sheh (të gjitha) çka punoni.» (el-Hadid, 4) Allahu ekber!
Le të përpiqemi që të paktën 100 herë në ditë të themi: Estagfirullah! Le t’ia bëjmë këtë obligim vetes. Besoni apo jo, për këtë na nevojitet vetëm një minutë! Do të ishte shumë mirë që këtë ta bëjmë praktikë pas çdo namazi. Padyshim, mundi do të na paguhet.
Duhet ta dimë, se kur jemi vetëm me celularin tonë, në internet, dhe kur të shikojmë gjëra që nuk janë të lejuara, të kemi kujdes se Allahu do të na i anulojë veprat e mira, edhe nëse janë sa malet, nëse menjëherë nuk pendohemi dhe nëse nuk e braktisim haramin!
Por, nëse jemi të vetëdijshëm që Allahu po na shikon se çfarë jemi duke bërë, dhe ne ende vazhdojmë të bëjmë haram, atëherë e meritojmë ndëshkimin. Atëherë, pra, vet po e kërkojmë ndëshkimin dhe po e dënojmë vetveten!
Mirëpo, nëse ndonjë njeri na shikon dhe ne nga turpi nuk do ta vepronim, atëherë ne po turpërohemi nga njerëzit dhe nuk po turpërohemi nga Allahu i Madhërishëm?!! Sot ka shumë që nuk turpërohen as nuk frikësohen nga askush, andaj Pejgamberi savs ka thënë: «Nëse nuk ke turp, bën çka të duash!» (Hadith) Prandaj, një nga sëmundjet e kohës moderne është zhdukja e turpit.
Ndërsa për ata që, megjithatë, i përmbahen fesë dhe i shmangen haramit janë lajmet e mira. Pejgamberi savs thotë:
“O sahabët e mi! Pas jush do të vijë një kohë kur personi i durueshëm do të jetë sikur ai që e ka shtrënguar gacën në dorë, por ai që do të punojë dhe do ta praktikojë Islamin, do të ketë shpërblim sa 50 veta që punojnë siç po punoni ju tani. Sahabët e pyetën: O i Dërguari i Allahut, shpërblimin e 50 vetave prej nesh apo prej tyre? Ai u përgjigj: Shpërblimin e 50 vetave prej jush, o sahabët e mi!” (Tirmidhiu, Ebu Davud, Ibni Maxhe)
Pra, i Dërguari i Allahut, i ka njoftuar sahabët se do të vijë kohë e vështirësive, kohë e cila do të kërkojë shumë sabër, kohë në të cilën do të jetë vështirë të jesh musliman i ndershëm dhe i virtytshëm, kohë e të këqijave dhe mëkateve, kohë e internetit, e laptopave dhe e telefonave celularë me një vërshim të ofertave haram, andaj në kohë të tilla kush i përmbahet asaj që i përmbahen sahabët, pra fesë dhe parimeve të Islamit, ai do të shpërblehet sa 50 sahabë! Allahu ekber! Vërtet e mrekullueshme!
Kush e lënë haramin për hir të Allahut dhe e zëvendëson me hallall, Allahu i Plotfuqishëm do t’ia zëvendësojë atë me shpërblime të pabesueshme dhe me mirësi fantastike.
Sahabët i sakrifikuan shtëpitë e tyre dhe tërë pasurinë, andaj Allahu i Madhërishëm ua mundësoi që ta sundojnë Tokën.
Sulejmani a.s. hoqi dorë nga kuajt e bukur për hir të Allahut, andaj Allahu i Plotfuqishëm ia nënshtroi erën, e cila frynte siç donte ai.
Jusufi a.s. hoqi dorë nga femrat e bukura por të ndaluara, andaj Allahu i Plotfuqishëm ia mundësoi menaxhimin e thesareve të Egjiptit.
Të qëndrojmë larg nga harami që jemi duke bërë, andaj Allahu i Plotfuqishëm do të na jep bukuri për të cilat ne vetëm mund të ëndërrojmë.
E lusim Allahun e Plotfuqishëm që të na udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të na mbrojë nga harami, nga gjërat e dëmshme dhe të ndaluara nga Ai.
O Allah, na i prano ibadetet tona, na i fal mëkatet tona dhe na e përmirëso gjendjen tonë!
O Allah, na ndihmo që në mes njerëzve të mbretërojë dashuria, ndershmëria, drejtësia, paqja dhe harmonia!
Gjithashtu, o Zot, shkatërroje dhunën, padrejtësinë dhe të gjitha llojet e të këqijave, dhe në fund na shpërble me xhenet në shoqëri me të dashurit dhe të zgjedhurit Tu! Amin!
/Hatib: Abdullah Hoxhiq/ Përshtati: Miftar Ajdini
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.