Marsh madhështor për të kërkuar drejtësi, UÇK e çon në këmbë krejt Kosovën

Opoja.net Opoja.net Kosova

Në Prishtinë është organizuar “Marshi për Drejtësi”, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që janë në Hagë.

Marshi, i organizuar nga platforma “Liria Ka Emër”, filloi në orën 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Aty priten të marrin fjalën një numër i njerëzve nga organizatat dhe partitë që kanë shprehur përkrahje për këtë marsh.

“Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike”, janë disa nga pankartat që protestuesit po i mbajnë në duar.

Në mënyrë të organizuar, mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës kanë ardhur për të marshuar në kryeqytet.

Policia ka njoftuar se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike gjatë marshit.

Më herët, ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Përveç partive opozitare, edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka mbështetur këtë iniciativë.

Më parë, organizatorët janë shprehur se “Marshi për drejtësi” është ideuar për ta ruajtur “të vërtetën për luftën e UÇK-së”.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-