Pas vizitës në Klinikën e Onkologjisë, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, tha si institucion janë të përkushtuar në sigurimin e barnave dhe në përgatitjen e planit nacional për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, raporton Ekonomia Online.
“Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit e shprehur në veçanti tek gratë. Të dhënat tregojnë se 1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit dhe vetëm trajtimi i hershëm e rrit shkallën e mbijetesës. Nga të dhënat e Onkologjisë, në nëntë muajt e fundit janë trajtuar 400 gra të moshës 50 vjeçare”, tha Gexha-Bunjaku.
Tutje, ajo tha se bashkëpunimi i institucioneve shëndetësore, profesionistëve shëndetësor mbetet arma më e fortë për parandalimin e kancerit të gjirit.
“Bashkëpunimi i institucioneve shëndetësore, profesionistëve shëndetësor mbetet arma më e fortë kundër kancerit të gjirit. Inkurajojmë gratë dhe burrat që ta rrisin kujdesin dhe vetëkontrollin”.
“Ne u informuam nga drejtori i Klinikës Onkologjike për sfidat e punës së kësaj klinike, terapitë dhe probleme tjera, andaj si ministri e Shëndetësisë jemi të përkushtuar që luftën kundër kancerit të gjirit ta bëjmë me një plan nacional”.
Në anën tjetër drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se përkundër gjendjes pandemike kanë arritur që të avancojnë dhe punojnë mjaftueshëm në parandalimin e kancerit të gjirit.
“Jemi këtu ne kuadër të aktiviteteve që përkojnë në këtë muaj të ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit. Kemi parasysh qe nevojat janë shumë të mëdha, dhe edhe pse kemi pasur situatën me pandeminë por kemi arritur që të avancojmë me këto shërbime, dhe për herë të parë edhe me shërbime psikologjike”, tha Krasniqi.
Tutje, ai tha se shumë shpejtë do fillojnë me shërbimet e mamografisë mobile nëpër komuna që nuk kanë aparate të diagnostifikimit të kancerit të gjirit.
“Shumë shpejtë qysh nga java e ardhshme do të fillojmë edhe me shërbimet e mamografisë mobile nëpër komuna ku nuk kanë aparate”, theksoi tutje Krasniqi.
Edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, falënderoi ministren Gexha që vizitën e parë e ka bërë në këtë klinikë, duke shtuar se kanë arritur të kryejnë për 9 muaj mbi 200 mijë shërbime.
“Falënderoj ministren që vizitën e parë e ka bërë në klinikën tonë. Ne si klinikë kemi trajtuar shërbime nga më të ndryshmet, dhe vetëm për nëntë muajt e parë kemi kryer mbi 200 mijë shërbime, dhe 300 femra kemi identifikuar me kancer të gjirit, madje mund të cekim se është rritur numri që për herë te parë është bërë diagnostifikimi i grave në stsdin e parë të sëmundjes”, tha Kurtishi.
Ministrja dhe drejtori i Onkologjisë u pyeten rreth ankesave të pacientëve për mungesë së barnave për terapitë që marrin dhe planit të ministrisë për barnat esenciale.
Kurtishi për barnat tha se mungesa e disa prej barnave është logjike të mungojë dhe se shumë shpejtë do furnizohen.
“Po e dimë që ka mungesë të një ilaçi respektivisht për ato ilaçe të terapive qe marrin pacientët, është logjike që kemi vonesa të vogla duke shpresuar që shumë shpejtë të vinë ato. Kosova ka mbërri deri në 90% me mbulimin e barnave”.
Në anën tjetër lidhur me planin e ministres për barnat esenciale dhe buxhetin, ajo tha se për dallim me vitin 2020 ka pasur buxhet më të vogël në vitin 2021 për barnat esenciale duke shtuar se do bëjnë përpjekje të vazhdueshme për sigurimin e barnave esenciale.
“Ne në vitin 2021 kemi buxhet më të vogël për dallim me vitin 2020 për barnat esenciale. Por, që kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të mënjanuar këtë problem”.
Gexha-Bunjaku u shpreh se largimi i punëtorëve shëndetësorë po ndodh për një sërë arsyesh, duke përmendur edhe kushtet e punës.
Ajo thotë se ekzekutivi po punon për krijimin e kushteve më të mira të punës për punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe shton se prioritet nuk mbetet vetëm parandalimi i ikjes së tyre jashtë vendi, por edhe ardhja e punonjësve nga jashtë të cilët do të shkëmbenin përvojat e tyre me punonjësit e shëndetësisë në Kosovë.
“Jo që nuk e kemi menduar, por vazhdimisht bëjmë përpjekje që të mos ik truri kryesor i Kosovës e që do punojmë edhe më shumë këtë problematikë”.
Krasniqi u përgjigj edhe për pyetjen se pse nuk janë larguar një numër i madh i placentave.
Ai tha se kanë kontaktuar tashmë komunën e Prishtinës dhe se është një procedurë e rregullt e tyre që kontrakton dikë, duke shtuar se janë duke pritur me muaj përgjigje nga ana e Komunës që t’i groposin ato placenta.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.