Magomed Ankalaev rrëzon nga froni Alex Pereira-n

Opoja.net Opoja.net Sport

Magomed Ankalaev është kampioni i ri i peshave light heavyweight të UFC-së.

Pas një pritjeje në dukje të pafundme trevjeçare për shansin e tij të dytë për rripin e artë, Ankalaev rrëzoi nga froni yllin kryesor aktiv të UFC-së, Alex Pereira, me një vendim unanim të ngushtë të shtunën në eventin kryesor të UFC 313 në Las Vegas.

Në fund, gjyqtarët e vlerësuan ndeshjen 49-46, 48-47 dhe 48-47 për Ankalaev, i cili tani ndjek gjurmët e “të mëdhenjve” të peshave të lehta Khabib Nurmagomedov dhe Islam Makhachev duke u bërë sportisti i tretë nga Dagestani që fiton një rrip UFC-je.

“Nuk mund të gjej fjalët për ta përshkruar. Ka qenë një rrugë kaq e gjatë dhe kjo është ëndrra ime – është në belin tim”, tha Ankalaev pas ndeshjes përmes një përkthyesi, transmeton albanianpost.

“Plani i ndeshjes ishte presion, presion, presion. Të gjithë ata që luftojnë kundër Pereira-s gjithmonë kundërsulmojnë, por detyra ime ishte të sigurohesha që unë të punoja si numri një dhe të gjithë ata që luftojnë kundër meje të bëhen kundërsulmues dhe plani im funksionoi”.

Ankalaev (20-1-1) është konsideruar prej kohësh si një nga luftëtarët më të talentuar të peshave light heavyweight në këtë sport.

Kjo, megjithë rrugën e tij të gjatë për të shkuar te titulli, pasi përballja në vitin 2022 për rripin e kësaj kategorie kundër polakut Jan Blachowicz përfundoi në një split decision (barazim të diskutueshëm).

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-