Libër me vlera historike për Opojën

Opoja.net Opoja.net Këndi Letrar Opoja

(Dr. Sadik Mehmeti, “Kontribute për historinë e Opojës”, botoi Instituti Albanologjik, 2015)

Opoja, trevë etnikisht shqiptare që për nga pikëpamja e kulturës shpi¬r¬tërore e materiale ka një trashëgimi të pasur me elemente dhe me vlera të veça¬nta, për fat të keq, nuk është e njohur sa duhet. Për Opojën nuk janë bërë studime e hulumtime shteruese, ndaj edhe ka mbetur sot e kësaj dite një ndër trevat shqiptare më pak të njohura dhe më pak të studiuara.
Pikërisht për këtë arsye dr. Sadik Mehmeti, punonjës shkencor në Arkivin e Kosovës dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë dhe në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Hasan Prishtina”, duke qenë edhe vetë i lindur dhe i rritur në këtë trevë, i është qasur punës hulumtuese e studimore e cila ka kulmuar me botimin e librit “Kontribute për historinë e Opojës”.
Ky libër i botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, është një përpjekje për të sjellë të dhëna për disa ngjarje, personalitete e institucione të kësaj treve, kryesisht të shekullit XX dhe është padyshim një libër me vlera të pa kontestueshme historike për Opojën.

E ashtuquajtura histori e fshehur, ajo që zhvillohet në margjinat e ngjarjeve të rëndësishme shoqërore, pas analizave të hollësishme dhe shumështresore mund të tregohet si faktor i rëndësishëm në krijimin e disa parimeve të reja shoqërore. Një nga njohuritë më të rëndësishme deri tek e cila mund të arrijmë në atë mënyrë, është për shembull, kush ishin prijatarë në luftën për emancipimin fetar, dhe ngritjen e vetëdijes kulturore e kombëtare në Opojë, njerëz të cilët çdo minutë të kohës së tyre e shfrytëzuan për këtë qëllim.
Libri “Kontribute për historinë e Opojës”, është i shkruar me një stil të lehtë e të kuptueshëm për një audiencë e gjerë dhe në të janë bërë bashkë të gjitha informacionet e rëndësishme për një periudhë të caktuar të historisë së Opojës në dimensionin kombëtar, fetar, historik, sociologjik e kulturor.
Duke qenë punonjës në Arkivin e Kosovës, dr. Sadik Mehmeti ka pasur nëpër duar një numër i konsiderueshëm të dokumenteve arkivore të pa pu¬bli¬ku¬ara, të proveniencave të ndryshme, që kanë të bëjnë me Opojën. Autori thekson në parathënie të librit se inspirimi dhe nxitja për t’u marrë me këtë çështje i erdhën, në rend të parë, pasi kishte trashëguar një bibliotekë të pasur me dokumente dhe libra në gjuhët orientale nga gjyshi i tij, myderrizi i shquar Mehmet ef. Ramadani i Kukit, në mesin e të cilëve ruheshin edhe disa poezi dhe një mevlud në gjuhën shqipe, i shkruar me shkronja arabe, nga një tjetër myderriz i Opojës, Mehmet ef. Salihu nga Bresana.

Shkrimet e përfshira në librin “Kontribute për historinë e Opojës” janë të sistemuara në tri pjesë:
Në pjesën e parë, janë përfshirë dymbëdhjetë punime, të cilat për objekt studimi kanë disa ngjarje dhe personalitete të shquara të Opojës. Kjo pjesë hapet me punimin “Kukli begu dhe vakëfet e tij”, të autorëve Hasan Kaleshi dhe Ismail Re¬xhe¬pi. Autori thekson se e ka bërë këtë, për faktin se ky është punimi i parë më se¬rioz dhe i patejkalueshëm deri sot për Kukli begun dhe vakë¬fet e tij, por edhe për faktin se punimet e tjera, të përfshira në këtë vëllim, në një mënyrë a në një tjetër, lidhen me Kukli be¬gun dhe vakëfet e tij. Në këtë pjesë të titulluar “Studime”, krahas punimit “Kukli begu dhe vakëfet e tij”, janë publikuar edhe shkrimet “Tradita e manifestimit të mevludit në trevën e Opojës me rrethinë”; “Katër mbishkrime mbivarrore (nishane) në fshatin Kuk të Opojës”; “Dorëshkrimet orientale në bibliotekën e këshillit të bashkësisë islame në dragash (Sharr)”, “Medreseja e Opojës (1908-1948) dhe myderrizi i saj haxhi Rexhep ef. Ismaili (1871-1956)”; “Hoxha i madh i Kukit mulla Mehmet ef. Ramadani (1876– 1965)”; “Bejtexhiu opojar Mehmet ef. Salihu (1898-1985)”, “Përkthimi dhe komentimi i xhyzit “amme” nga mulla Mehmet ef. Salihu”; “Texhvidi tek shqiptarët (me vështrim të veçantë “texhvidi” i mulla Mehmet ef. Salihut)”; “Masakra serbe te “Livadhi i Kasës” në Bresanë (1913) si përjetim i së sotmes”; “Delegati i Sharrit në lidhjen e dytë të Prizrenit, Bahtijar ef. Qafleshi (1905-1979)”; dhe “Kush është autor i këtyre ilahive?”.
Në pjesën e dytë të librit janë përfshirë katër punime për disa institucione fetare islame, nëpunësit e tyre dhe popullsinë e Opojës, si xhamitë, sibjan mektebet, imamatet e xhematit në Opojë dhe rrethinë në periudhën 1935-1945.

Ndërkaq, në pjesën e tretë autori ka përfshirë dy nekrologji për dy personalitete nga të fundmit e brezit të ulemave ixhazetlinj të Opojës, përkatësisht haxhi Hafiz Adnan ef. Rexhepi (1925-2001), hafiz i shquar i Opojës dhe haxhi Salim ef. Rexhepi, ixhazetliu i fundit në Opojë.
Disa prej punimeve në këtë përmbledhje, i tejkalojnë kufi¬jtë e Opojës dhe bëjnë fjalë edhe për trevat përtej saj dhe sido¬mos për Prizrenin me rrethinë, Suharekën me rrethinë, krahinën e Gorës etj. Autori është i mendimit se ky fakt i begaton dhe ua shton vlerën këtyre shkrimeve, duke ofruar mundësi për të bërë krahasime dhe për të pasur një pasqyrë më të qartë të Opojës në raport me Prizre¬nin dhe trevat e tjera përreth.

Përmbledhja “Kontribute për historinë e Opojës”, nga as¬pe¬kti i faktografisë, është mbështetur kryesisht në doku¬me¬nte dhe burime arkivore në gjuhë të ndryshme, të pabotuara, të cilat ruhen në Arkivin e Kosovës, në Arkivin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ndër posedues privatë. Autori me këtë rast e ka vlerësuar si të rëndësishme për këtë ndërmarrje bashkëpunimin, mirëkuptimin, mbështetjen dhe gatishmërinë e punonjësve të Arkivit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Libri “Kontribute për historinë e Opojës” i dr. Sadik Mehmetit, është pa dyshim ndërmarrja më serioze deri tash e një autori, për të paraqitur para lexuesit momentet më të rëndësishme historike të Opojës, krahinë kjo që ka qenë dhe mbetët një nga zonat më të ngritura në aspektin fetar e kulturor. Autori i këtij libri, historian i mirënjohur dhe punonjës shumëvjeçar në Arkivin e Kosovës, ka punuar me shumë kujdes dhe përkushtim, për të paraqitur sa me drejt në kompleksitet portretin e kësaj krahine, që i ka përballuar me sukses rrebeshet e historisë.
Duke qenë i lindur në njërin nga fshatrat e Opojës, jetuar dhe vepruar aktivisht, në një periudhë të gjatë kohore, autori ka pasur mundësinë dhe kohën të gërmojë, studiojë, shënojë e theksojë, shumë fakte dhe ngjarje që kanë shërbyer në realizimin e qëllimit të tij.

Ky libër ka vlera historike dhe i thirr ndërgjegjes intelektuale, që të gjykojë drejt historinë, traditat, zakonet dhe jetën e një populli, se kështu sendërtojmë vetëdijen tonë brenda realitetit ku jetojmë. Pa kulturën, traditat, kontributet historike të trevës së Opojës, historia jonë do të jetë e mangët, ashtu sikurse jashtë kontekstit të historisë shqiptare, Opoja nuk mund të ekzistojë.
Jam i mendimit se këtë libër duhet ta ketë në dorë çdo i ri, i zgjuar, i cili interesohet për historinë e Opojës. Ky do t’ia ndezte kuriozitetin dhe admirimin e të kaluarës së kësaj treve.

Shkruan: Demir Reshiti


© Opoja.net. Të gjithë të drejtat e mbrojtura.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-