Nexhat Ibrahimi
Shqyrtime hyrëse
Rrëfimi i mëposhtëm është përshtypje personale rreth leximit dhe dashurisë për leximin, për lapsin, për letrën, për librin. Ky rrëfim nuk është shkrim teologjik në kuptimin e ngushtë dhe nuk do të përdorë tekste (citate) nga Kur’ani e Hadithi në formë citatesh por në formë frymëzimi. Ajetet dhe hadithet i dimë, i kemi dëgjuar, por edhe nëse të gjithë ne nuk i dimë, mund t’i gjejmë në shkrime të veçanta.
Në këtë shkrim do të shtrohen disa vrojtime të shkurtra me të cilat nuk do të pajtoheni të gjithë ju. Por, mbase shkrimi kalon lehtë dhe pa ndonjë reagim nga miqtë mospajtues, sepse muslimanët shqiptarë kohët e fundit janë të preokupuar me tema të mëdha dhe lexojnë pak dhe në këtë mënyrë nuk do ta vërejmë as këtë shkrim.
Para një shekulli në vendet muslimane thuajse çdo fëmijë, djalë e vajzë, ka mësuar në mejtep (mekteb, shkollë vullnetare në fshat apo lagje) kurse analfabetizmi ka qenë në minimum, por prej kur filloi perëndimizimi i jetës dhe i mënyrës së të menduarit e vepruarit, edhe analfabetizmi u rrit dita ditës. Për këtë gjendje prapë, si zakonisht, nuk i kemi ne, as Perëndimi i përparuar, por fajet i kishte dhe i ka Turqia dhe feja islame si fe praktike por edhe si ideologji e osmanizmit.
Edhe nëse dikush nga lexuesit nuk pajtohet me konstatimet hyrëse, edhe nëse është prekur sedra e dikujt, është në rregull, sepse edhe sipas Perëndimit të përparuar e drejta e shprehjes së lirë është e pacenueshme. Në fund të fundit, mendimi ynë le të merret si mendim i pavarur dhe si konkurrencë karshi mendimeve tjera.
Leximi, çelësi i të mirës
Shtëpia pa dritare është një gjendje e paimagjinueshme, e papranueshme, e refuzueshme, jofunksionale. Shtëpia pa dritare është errësirë në çdo anë, në çdo cep shtëpie por errësira është edhe frikë, pasiguri shpirtërore dhe emocionale. Dritarja fut dritë në shtëpi dhe e freskon shtëpinë, i jep ngjyrë dhe ngrohtësi asaj, e të gjitha këto janë optimizmi për t’ia dal në këtë jetë dhe shpresa për ta fituar kënaqësinë e Krijuesit në jetën tjetër. Dritaret gjithashtu ofrojnë pamje jashtë ambientit të ngushtë shtëpiak, shikojnë në horizont, në tokë dhe qiej, madje edhe atje ku nuk shohin sytë.
Po këtë e bën libri dhe leximi për mendjen e njeriut. Ai sjellë dritë te njeriu, ai është dritë për njeriun; leximi e freskon njeriun me ide të reja, ia rrit lirinë e tij dhe e shëtit nëpër horizonte të pashkelura më parë.
Leximi, lapsi, letra, libri duhet të bëhet preokupim kryesor i muslimanit. Allahu xh.sh. qysh me fjalën e parë ‘ikre’ e thirrë njerëzinë në botën e librit, leximit, mësimit dhe thellimit e hulumtimit shkencor. Të mësuar nga ky parim muslimanët e parë u bënë lexues të mëdhenj, studiues të mëdhenj dhe kontribuues të respektuar. Ata shkruan me mijëra libra nga të gjitha shkencat e kohës. Shkrimet e tyre u bënë vravashkë për muslimanët dhe të tjerët. Ata lexonin, ata shkruanin, ata përkthenin, ata vlerësonin. Ata ishin për shekuj të tërë prijatarë në lexim, në libra të shkruar, në shkencë. Krahasuar me atë kohë, është dëshpëruese të shohësh gjendjen e arsimimit të muslimanëve të sotëm. Është pikëlluese të shohësh gjendjen e lexueshmërisë dhe nivelin e literaturës që shkruhet. Madje, edhe ajo që lexohet është një lexim shterpë, lexim tendencioz e paragjykues, pa invencion, pa kreativitet, që i kushtohet formës por që e ka braktisur thelbin. Madje, madje, në trojet shqiptare as që mund të thuhet se kemi opinion konstruktiv lexues. Në atë kohë muslimanët nuk kishin ndonjë sekret për suksesin e tyre, sepse ai konsistonte në arsimimin dhe leximin e tyre me pasion të madh, duke prodhuar mendje të mëdha dhe vepra të mëdha, çfarë bota e kishte vështirë t’i imagjinonte.
“Nuk ka kohë”
Është e qartë se shekulli XX dhe XXI ka pësuar ndryshime në çdo pikëpamje. Globalizimi i jetës, mënyrat e punës, llojet e punës kanë ndryshuar. Kjo ka imponuar që të fitojmë shprehi tjera, metoda tjera, organizim tjetër të jetës. Kjo ka shtyrë që shpesh të dëgjojmë justifikime të shpeshta se si “nuk ka kohë”, madje “s’ka kohë as të vdes”.
Rrjedhimisht, nuk ka kohë as për lexim, mësim, studim, duke harruar se po këta njerëz kanë kohë për çdo aktivitet tjetër, sikurse ka kohë për pirjen e kafesë në objekte hotelerie, ka kohë për shikimin e futbollit, për dëgjimin (shikimin) e muzikës, ka kohë për hulumtimin poshtë e lartë të facebookit, shikimin e filmit, ka kohë për ndonjë lojë bixhozi etj. Ai gjen kohë për miq, për vikende nëpër male apo dete, për vrapim sepse ka parë një program televiziv, apo ia ka rekomanduar mjeku. Ai gjen kohë për udhëtime brenda e jashtë vendit, ka kohë për sport e rekreacion në ndonjë qendër rekreative, por jo edhe për lexim. Edhe për këtë tekst që po e shkruajmë për ta sidomos nuk kanë kohë por do të gjejnë kohë për futbollin evropian, për euro-songun, për doku-festin, për sorollatje të përditshme etj.
Kjo është diagnoza. Është detyrë e jona ta analizojmë thellësisht këtë diagnozë dhe të gjejmë terapi përkatëse, të gjejmë mënyrë e kësaj shtrese të madhe t’ia përcjellim porosinë e tekstit, qoftë edhe formalisht.
Duke marrë parasysh se mësimi është detyrë e çdo muslimani, madje e domosdoshme për të mundur ta pranojë fenë dhe ta praktikojë pa gabime. Mënyra si do të mësojë është individuale, por nëpërmjet leximit mësimi është më i lehti dhe më i sigurti.
Libri, afër dhe larg lexuesit
Libri është send, mjet, vegël që do të duhej të jetë afër lexuesit. Por, objektivisht, ai është afër vetëm te nxënësi i detyruar të lexojë, te studenti i detyruar të mësojë, te lexuesi që i duhet si nevojë profesioni apo diç të tillë, e jo si nevojë shpirtërore, intelektuale. Por, realisht, a është çdo herë faji te lexuesi apo edhe te autorët, shkrimtarët, botuesit, tregu? Të gjithë kanë nga pak faj. Tregu dhe botuesi në parim duan literaturë komercialiste. Autorët në parim duan literaturë për ta thelluar xhepin dhe famën. Populli do literaturë të lehtë, gjithnjë të nivelit të klasës së parë, sepse nuk mund të lodhet më shumë. Përse kështu? Përse këta individë dhe grupe nuk duan të kalojnë në klasën e dytë?!
Mendoj (në veten e parë njëjës) se së pari faji është te botuesit, të cilët afrojnë rreth vetes bashkëpunëtorë puthadorë, të cilët shkruajnë shkrime bajate, jashtë orbitës intelektuale dhe hapësinore të lexuesit, por brenda orbitës së punëdhënësit. Servilizmi ndaj punëdhënësit e shpesh edhe frika ndaj atyre ‘lart’ e shkatërron edhe shkrimin më të mirë, edhe punën më të mirë. Në rend të dytë faji është tek autorët, të cilëve u pëlqen të jenë koherentë me synimet e botuesit. Nuk duan të hidhërohen me ta, sepse do të humbisnin materialisht por edhe nga privilegjet tjera. Në këtë “martesë johallall” në rrafshin afatgjatë humbin të dyja palët, por më së shumti pala e tretë, lexuesi, i cili me indiferencë e sheh dhe e pranon këtë gjendje dhe heshtë.
As masat administrative ndaj punëtorëve për blerje të detyrueshme (që ligjërisht nuk është në rregull, përndryshe edhe presidenca e qeveria paska të drejtë të na detyrojë t’i blejmë librat e qeverisë!) nuk rezultojnë me sukses, sepse ka 1001 mënyrë për ta anashkaluar këtë detyrim. Në fund të fundit, materiali qoftë edhe i detyrueshëm nuk lexohet, sepse revista është shkruar për vetveten e jo për tregun. Autorët i bëjnë qejf vetes dhe jo plotësimit të nevojave të lexuesit. Shfleto një libër apo një revistë dhe do të zhgënjehesh. Sidomos zhgënjen numri, profili dhe gjeografia e autorëve. Mos të flasim për gjuhën e shkrimeve, nivelin e ulët të shkrimeve, plagjiaturën e pranishme, tematikën e trajtuar jashtë kohe e jashtë nevoje.
Libri, mik i dashur
Libri është mik i dashur, i këndshëm, jo i bezdisshëm. Ai nuk dikton kushte, as nuk imponon kohën apo vendin për lexim. Libri nuk këmbëngul në privatësi apo në transparencë, as në përshpejtim as prolongim. Libri nuk është i një personi, i një grupi apo i një populli, por i atij që e do librin. Mund ta lexojë e tërë familja, apo brez pas brezi dhe ai mbetet i freskët.
Aktualisht bota është përplot me libra të pavlerë ndaj edhe është koha e fundit që bota muslimane të ngrihet e të gjej librat autentikë e të dobishme. Kohën e lirë duhet plotësuar me lexim e meditim, e jo me lojëra të pakuptimta. Dollapët tona duhet të dekorohen me libra në vend të verërave, figurave të ndryshme të shtazëve apo shpezëve. Mangësitë tona intelektuale dhe shpirtërore duhen plotësuar me vlera e jo me kotësi, mite e legjenda. Kotësitë mund të duken të ëmbla përkohësisht por do ta zgjasin vakuumin shpirtëror në pafund.
Libri, faktor integrues
Libri është faktor integrues brenda familjes së ngushtë dhe të gjerë. Libri është faktor integrues edhe mes shokëve e kolegëve. Leximi i librit është lodra më e mirë për preokupimin tonë ditor e jetësor. Sa më shumë libri në duart tona aq më pak veglat e ndryshme teknike-teknologjike. Telefonat mobilë, tabletat, kompjuterët dhe veglat tjera moderne elektronike do të përdoreshin sa më pak për humbje kohe e sa më shumë për lexim e informim.
Leximi i librit në një prej mënyrave të njohura do ta bashkojë familjen, do ta pajtojë atë. Leximi do t’i solidarizojë të afërmit me njëri-tjetrin, do ta rrisë altruizmin mes tyre, do ta zvogëlojë konfliktin mes brezave, do ta zvogëlojë ndikimin e dëmshëm të televizionit, internetit dhe do ta hap horizontin e të interesuarve.
Disa këshilla për librin
Libri është thesar i pavlerësuar sa duhet. Dikur kishte vlerë më të madhe, edhe pse ishte në formë dorëshkrimi, ndërsa sot, me zhvillimin material të botës dhe format tjera të mësimit, disi është zvogëluar vlera e tij. Mbase edhe për shkak të dinamizmit të jetës, shumëzimit modernë të tij por edhe për shkak të leximit elektronik të librit. Megjithatë, disa sugjerime duhet bërë:
1. Kujdesi gjatë përzgjedhjes së librit për blerje apo edhe blerje-lexim duhet të jetë i lartë. Titulli i këndshëm nuk domethënë edhe libri i dobishëm. Madje për personat që nuk kanë njohuri të solide, kjo literaturë me tituj ‘bombastikë’ është tejet e rrezikshme. Siç i pyesim ekspertët për blerje veturash, orësh, telefonash, do të duhej të pyesnim edhe për autorët dhe librat e caktuar.
2. Literatura islame përmban ajete kur’anore dhe hadithe të Muhamedit a.s. Kjo gjendje obligon të sillemi me kujdes maksimal ndaj librit. Për t’i ruajtur nga përdhosja e dëmtimi fizikë, këto libra pas përdorimit vendosen në vend të lartë e dollapë. Ato nuk grisen, por ruhen mirë. Kur dëmtohen nga dhëmbi i kohës ose nga përdorimi intensiv, nuk rekomandohet të vendosen kudo. Nëse dëmtohen duke u bërë të papërdorshëm, më mirë është të digjen sesa të deponohen kudo e sido.
3. Besimtari musliman duhet të gjejë mundësi për lexim të librit. Justifikimet e shumta për mungesë kohe e tjera janë anomali që na dobësojnë dhe na shndërrojnë në përtacë. Por, krahas kujdesit individual, për librin duhet të kujdesen edhe bibliotekat, nga blerja e deri te prezantimi para publikut. Meqë individët nuk mund të blejnë çdo gjë që botohet, këtë punë do ta bënte biblioteka e përbashkët në nivel rrethi, apo qarku, me llojllojshmëri librash dhe tematike. Por, edhe biblioteka e përbashkët në qytetin më të afërm paraqet domosdoshmëri për specialistë por edhe për lexues të zakonshëm. Investimi i tillë paraqet vlerë me rezultat kthyes.
4. Besimtari në përgjithësi duhet të gjej mundësi për blerje, lexim e studim të literaturës. Librin duhet ta bëjë të dashur e jo ta përjetojë si bezdi, të imponuar nga lart ose si trend kohe, sepse popujt që janë larguar nga leximi, studimi e krijimi, me kohë janë zhdukur. Shembujt janë të shumtë.
5. Shembull për dashurinë ndaj librit dhe kujdesin ndaj tij duhet të jenë imamët, punëtorët fetarë. Sa janë investimet e tyre gjatë një viti në shkencë, sa mijë faqe ka lexuar secili punëtor, sa ka reflektuar leximi i tij në ligjëratat apo muhabetet e zhvilluara në rrethin ku jeton e vepron. Për fat të keq, në këtë rrafsh nuk mund të lavdërohemi. Leximi te muslimanët më nuk paraqet virtyt por bezdi!
Publikuar: Revista Dituria Islame nr. 319, Maj 2017
P.S. Ketu e publikojme versionin e parecensuar.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.