Latif Latifi, imami 90-vjeçar në pension nga Prishtina, po e agjëron sivjet Ramazanin e 82-të në jetë.
Në një bisedë me Anadolu, Latifi, i cili dikur shërbente si imam në xhaminë e fshatit Koliq në afërsi të kryeqytetit, thotë se Ramazani ndikon shumë mirë në shëndetin e tij dhe gjithë muslimanëve, sepse bëhen më të urtë dhe më të butë.
“Jemi të përqendruar gjithëherë në agjërimin e Ramazanit. Shumë gëzohemi kur vjen Muaji Ramazan. Unë tash i bëj rrafsh 90 vjet. Kur i kam bërë 11 vjet kam filluar të agjëroj Ramazanin. Do të thotë, 80 Ramazane të rregullt, brenda çdo 30 vitesh shtohet një Ramazan kështu që më dalin 82 Ramazane, e gjithëherë i kënaqur”, thekson ai.
Latifi, i cili frekuenton Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku del zakonisht për të falur namaz, por edhe për lexuar Kuran, thotë se aktiviteti i tij si besimtar shtohet gjatë Muajit të Ramazanit.
Frekuentimi i familjarëve dhe shokëve gjatë këtij muaji thotë se është më i madh, marrë parasysh se edhe shpërblimi tek Zoti për vepra të mira është më i madh.
“Në Ramazan ndryshon aktiviteti jonë, falemi më shumë, Kuran lexojmë më shumë, për çdo ditë tani në Ramazan. Dyfishojmë leximin e Kuranit, dyfishojmë namazin, dyfishojmë marrëdhëniet mes vete me familjarë, të afërm dhe të gjithë jemi më të afërt, më të gëzuar dhe më të kënaqur”, thekson ai për Anadolu.
Latifi thotë se Ramazani që agjëroi gjatë periudhës sa ishte ushtar në periudhën e Jugosllavisë në Ballkan ishte për të më i vështiri në jetë. Madje, ai thotë se edhe agjërimin, edhe namazin, por edhe leximin e Kuranit e bënte fshehurazi në këtë periudhë.
“Ramazani më i vështirë në jetë për mua ka qenë ushtarë në kohën e komunizmit, në vitin 1963. Ka qenë shumë vështirë për mua. Fillova të agjëroj. Agjërova katër ditë fshehurazi, mirëpo llogaritja se kur të shkoj në kuzhinë, ushqimi mund të mos jetë adekuat për një musliman dhe më është dashur të ha, por, pastaj ato ditë i kam përsëritur më vonë. Ai Ramazan ishte më i vështiri, për të tjerët jam i kënaqur”, thekson Latifi.
Ish-imami shton se edhe pse në moshë të shtyrë, zgjohet çdo ditë në syfyr, derisa thotë se pavarësisht që sofrat sot janë më të mbushura se dikur, Ramazanet që kaloi në fëmijëri dhe në vitet e rinisë pranë familjes ishin “më të ëmbla” për të.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.