Kush mendon vetëm për veten, mbetet i uritur…

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Kush mendon që në sofrën e jetës ta ushqejë vetëm vetveten, do të mbetet i uritur edhe vet edhe ata që janë rreth tij

Është pyetur një njeri i urtë:

“Cili është dallimi në mes atij që dashurinë e ka vetëm në gjuhë dhe atij që e jeton dashurinë”

I urti u përgjigj: “Tani do ta shihni ndryshimin.”

Ai e shtroi një banket dhe i ftoi njerëzit. Së pari në sofër i ftoi njerëzit për të cilët e dinte se dashuria në jetën e tyre është vetëm fjalë e zakonshme e cila shqiptohet me gjuhë, por që nuk është në zemrat e tyre. Kur ata u ulën në sofër, i urti e vuri supën në sofër dhe secilit prej tyre i dha nga një lugë të gjatë një metër. Ata u përpoqën ta shijojnë supën, por, sa herë që e afronin lugën te goja, supa derdhej nga luga, ashtu që ata të uritur u larguan nga sofra.

I urti pastaj i ftoi rreth sofrës njerëzit për të cilët e dinte se zemrat e tyre janë të mbushura me dashuri. Kur ata u ulën në sofër, i urti e vuri supën dhe ju dha, sikur pararendësve të tyre, nga një lugë me gjatësi një metër. Mirëpo, ndryshe nga pararendësit e tyre, secili prej këtyre njerëzve e mbushte lugën me supë, pastaj e afronte në gojën e atij që ishte ulur përballë tij, kështu që ata praktikisht e ushqyen njëri-tjetrin dhe të ngopur u larguan nga sofra.

Pas kësaj, i urti të gjithëve ju drejtua me këto fjalë:

“Kush mendon që në sofrën e jetës ta ushqejë vetëm vetveten, do të mbetet i uritur, ndërsa kush mendon që në sofrën e jetës ta ushqejë edhe vëllain e tij, që të dy do të jenë të ngopur dhe të kënaqur.”

Përshtati: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-