Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Serbisë nuk i vihen sanksionet apo nuk dënohet lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, “nuk do të ketë dialog”.
Kështu është shprehur ai për “Financial Times”, para raundit të bisedimeve në Bruksel.
“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog”, tha Kurti.
“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin”, shtoi ai.
“Financial Times” ka thënë se, sipas Kurtit, Perëndimi duhet t’i shuajë shpresat për rikthim të bisedimeve në rrugë të duhur, nëse “nuk shtrëngon” Serbinë.
Në këtë intervistë, Kurti ka akuzuar sulmuesit e Banjskës se kanë tentuar të nisin një luftë të re për të aneksuar veriun e Kosovës. Ai ka përsëritur se pas sulmit të 24 shtatorit “gjithçka ka ndryshuar”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se blloku ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur do të mbahet samiti i BE-së.
“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano.
Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se plani është që në margjinat e këtij samiti, Kurti dhe Vuçiq të kenë takime të ndara me katër liderët evropianë, përfaqësuesit e të cilëve vizituan Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor.
Sipas burimeve, plani është që “katër liderët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell, të kenë takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e samitit të BE-së të enjten”.
Takime të të njëjtit format pritet të zhvillohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.