Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjornstad, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi u bisedua edhe për dialogun Kosovë – Serbi, që sipas Kurtit ky proces duhet të përgatitet mirë dhe të jetë parimor me qytetarët përfitues.
“Çështje tjera që u diskutuan krahas menaxhimit me pandeminë dhe prioriteteve të tjera të qeverisë së re, ishin dialogu me Serbinë dhe raportet ndërfqinjësore. Kryetari Kurti përsëriti qëndrimin tonë që ky proces të përgatitet mirë dhe të jetë parimor e me qytetarët si përfitues”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ashtu, në këtë takim Kurti u shpreh se detyra e parë dhe urgjente e qeverisë së re do të jetë sigurimi i vaksinës antiCOVID.
“Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe tha se është duke u përkushtuar që qeveria e re të konsolidohet pa ndonjë vonesë. Ai theksoi që detyra e parë dhe urgjente e qeverisë së re do të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid-19. Për këtë, të dyja palët ndanë bindjen që shtetet mike duhet ta ndihmojnë Kosovën për ta siguruar atë në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejtë”, shkroi ndër të tjera LVV.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.