Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se me të folën për mundësi të reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes.
Kurti tha se me Erdoganin folën për zhvillimet në rajon e më gjerë, teksa shtoi se janë mirënjohjës për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë gjatë vitit 1999.
“Jemi gjithnjë mirënjohës për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin e paqen në vend, për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve, shpalljen dhe njohjen e pavarësisë sonë dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme”.
“E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në KiE. Në NATO na bashkon orientimi e në KiE vlerat. Në të dyja na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon Evropa”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se një nga synimet kryesore si Qeveri e Kosovës, është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitorë të huaj, në mënyrë që sipas Kurtit, të krijohet një ekonomi e qëndrueshme.
“Turqia është ndër partnerët tonë kryesor ekonomik e tregtar. Kjo na gëzon po nuk duhet të na mjaftojë. Le ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për ta arritur potencialitetin e madh të tij”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Kurti foli edhe për komunitetin turk në Kosovë e komunitetin shqiptar në Turqi, ku tha se komuniteti turk në Kosovë ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës.
“Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Sot përfaqësues të këtij komuniteti janë kudo në institucione qendrore e lokale, duke dhënë kontributin e tyre për një Kosovë më të mirë e mirëqenie më të lartë”.
“Në anën tjetër, qytetarët e Turqisë me origjinë nga Kosova po ashtu kanë luajtur një rol të veçantë me kontributin e tyre përgjatë historisë së Turqisë. Ata edhe sot janë një komunitet shembullor e i suksesshëm në Turqi”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, kreu i qeverisë tha se komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve.
“Bazën e kemi të mirë, lidhjet e forta, vullnetin e madh, andaj lë të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim”, tha Kurti.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.