Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar të martën se është i gatshëm që të shkojë në takimin e radhës në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se është i interesuar për t’i paraqitur hollësisht të dhënat të cilat i posedojnë institucionet e Kosovës lidhur me rrëmbimin e tre policëve nga autoritetet serbe.
Sipas tij, de-eskalimi i situatës së krijuar në veri të vendit nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë.
“Do të komunikoj edhe me Brukselin dhe jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që de-eskalimi i situatës të cilin po kërkojnë të gjithë, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ka shtuar se normalizimi mes dy vendeve nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të Marrëveshjes bazike.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.