Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një adresim në debatin e Greek House.
Duke folur për marrëdhëniet gjithnjë e më të mira dhe intensifikimin e bashkëpunimit, kryeministri Kurti tha se edhe takimet ndërmjet politikanëve të Greqisë dhe atyre të Kosovës janë shpeshtuar kohën e fundit. Ndërkohë që eksportet e Kosovës për në Greqi janë rritur për 160 për qind.
Afërsia gjeografike me Greqinë, por edhe kostoja e ulët e shpenzimeve krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, e bën Kosovën vend atraktiv për investime të kompanive greke, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se Republika e Kosovës shpreson që Greqia sa më shpejtë t’iu bashkohet 22 shteteve të Bashkimit Evropian që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Po ashtu, shprehu besimin se Greqia mund të bëhet lidere në përshpejtimin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Teksa dënoi sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse në Ukrainë, kryeministri Kurti foli për reagimin e menjëhershëm të Republikës së Kosovës për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofrimin e ndihmës për Ukrainën, duke shprehur gatishmërinë për të pranuar 5000 refugjatë ukrainas dhe duke iu ofruar strehim dhe kushte pune 20 gazetarëve nga Ukraina.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.