Bajrami ishte dhe mbeti një simbol i gëzimit, lumturisë, buzëqeshjes dhe i një respekti të veçantë. Është koha e zbukurimeve, stolisjeve, veshjes së rrobave të reja që frymëzojnë tek ne shpresë të re dhe shpirtin njerëzor e bën të gëzuar dhe të lumtur.
Rreth pesë shekuj me rradhë, në vendin tonë për Bajram janë të njohura dy ditë të veçanta islame: Bajrami i Ramazanit dhe i Kurbanit, ose siç e quajnë disa Bajrami i Haxhit. Pjesa e popullsisë së rajonit tonë e cila kishte përqafuar Islamin, së bashku me të mori edhe kremtimin e këtyre dy ditëve të bekuara, si dhe mënyrën dhe format e manifestimit të tyre.
Në të kaluarën, në bazë të kushteve socio-historike dhe mundësive ekonomike, këto ditë janë shënuar në veçanti, dhe për këtë arsye populli jonë me nostalgji dinte të shprehte në këngët e veta: “As bajramet nuk janë siç ishin dikur!” Megjithatë, dëshira për këto ditë të veçanta, shkëlqimin e plotë dhe gëzimin, ka mbetur gjatë gjithë vitit, dhe këtë populli e shprehu bukur në këngë: “Bajrami vjen, bajramit i shpresoj (gëzohem).”
Përndryshe, bajramit i kushton vëmendje të veçantë secili mysliman, pa marrë parasysh shkallën e angazhimit të tij praktik ndaj Islamit. Në qoftë se ndodh që një njeri mysliman, si një individ, është indiferent ndaj disa mësimevedhe rregullave (dispozitave) islame, ai e ndjen bajramin, sepse pothuajse të gjithë ata mbajnë jehonën e largët e Bajramit dhe i kujtojnë momentet e gëzimin nga ditët e fëmijërisë dhe rinisë, kur ata ishin në shtëpitë e prindërve, lagje ose fshat.
Prej nga emri Bajram?
Është e qartë që emrin e këtyre ditëve të pushimit dhe gëzimit e kemi marr nga turqit, sepse Bayram në gjuhën turke do të thotë: festë fetare, festim dhe gëzim. I njëjti term përdoret në gjuhën persiane. Këto ditë në arabisht i quajnë ” ‘id”, që do të thotë: pushim, festë, përvjetor, Bajram.
Cili është kuptimi i Bajramit?
Në qoftë se pyetemi: në çka thërret Bajrami i myslimanëve dhe çfarë gëzimi paraqet ai për myslimanët, atëherë do të vijmë shumë shpejt në përfundimin se të dy Bajramet vijnë pas sprovave treguese, luftës dhe fitores. Bajramet janë tregues dhe lajmëtarë të fitores mbi tundimet dhe sporvat që janë kapërcyer.
Bajrami i Ramazanit është një festë e fitores mbi nefsin e vetë, epshet dhe pasionet. Epshi dhe pasionet e pafund, qojnë në dëshirën për ushqim, pije, kënaqësi intime dhe materiale, e që lumturia e vërtetë, është kur të paktën një muaj në vit bëhet një baraspeshim i lumtur në vetveten tonë, në mes shpirtërores dhe materiales.
Kurban – bajrami, gjithashtu paraqet një fitore mbi egoizmin dhe egon tonë. Është një kënaqësi për shkak të fitores së jashtëzakonshme të Ibrahimit a.s., mbi Iblisin, i cili u përpoq për të e larguar atë drejt ngjitjes kah mëshira e Allahut të Plotfuqishëm. Kurbanet tona që i therim gjatë Bajramit, sugjerojnë sakrificën tonë dhe fitoren mbi nefsin dhe lakminë tonë që kanë vend në vetët tona. Përveç kësaj, ky bajram është quajtur edhe Bajram i haxhit (hanxhinjve), të cilët sakrifikuan komoditetin e tyre, pasurinë e tyre dhe të mira tjera duke iu drejtuar rrugës jo aq të sigurt, në mënyrë që duke qëndruar afër Qabesë dhe në Arafat, i shkaktohet goditje e fundit Iblisit, të cilin me praninë në këto vende, ai plotësisht mundet, thyhet dhe shkatërrohet.Pra, gjatë gjithë këtyre sprovave dhe fitores së madhe,a nuk duhet të shfaqim gëzimin dhe lumturinë tonë?!
Manifestimi dhe falja e bajrameve
Namazet e bajramit janë bërë obligim në vitin e parë të hixhretit. Bajrami posaçërisht filloi të shënohet pas hixhretit. Pejgamberi s.a.v.s., i zëvendësoi për dy festat që janë praktikuar në Medine para ardhjes së Islamit. Enes b. Maliku, transmeton dhe thotë: “Kur Pejgamberi s.a.v.s., erdhi në Medine, vërejti se dy ditë banorët e Medinësi kalonin në lojë dhe gëzim, dhe i pyeti: ” Çfarë janë këto ditë?” Ata u përgjigjën: “Ne kemi luajtur dhe jemi argëtuan në to para ardhjes së Islamit!”. Pastaj Pejgamberi s.a.v.s., tha: “Allahu ju zëvendësoi këto dy ditë me më të mirë se këto, e ato janë: Bajrami i Ramazanit dhe i Kurbanit!”.
Këndimi shumtë i tekbireve
Është mustehab (e pëlqyeshme) për të kënduar sa më shumë tekbire në natën para Kurban – bajramit (në ditën e Arefatit) dhe kështu të veprojmë deri në namazin e ikindisë të ditës së katërt të Bajramit. Kjo është vaxhib për çdo të rritur mysliman pas të gjitha farz namazeve. Tekbire – teshrik janë: Allahu Ekber. Allahu Ekber. La ilahe illallah Allahu Ekber. Allahu Ekber ve lil-lahi-l-hamd.
Si të urojmë bajramin të tjerëve?
Sahabët i uronin njëri tjetrit bajamin me fjalët: “Tekabbelellahu minna ve minkum!” / Allahu pastë pranuar nga ne dhe ju!”. Vasile r.a., për këtë transmeton: “E takova Pejgamberin e Allahut s.a.v.s., në ditën e bajramit dhe i thashë: “Tekabbelellahu minna ve minke!”. Ai u përgjigj: “Po. Tekabbelellahu minna ve minke!”.
Tek ne, është traditë (adet) që të urojmë bajramin me fjalët: Bajram (Sherif) Mubarek olsun, e që në përkthim nga gjuha turke do të thotë: Me fat të qoftë bajrami (i bekuar)!
Përfundim
Me pak fjalë, ditët e Bajramit, edhe pse janë festat nuk janë ditë boshe, por tek myslimanët janë të mbushura me përmbajtje të pasur, nga ibadete në netët e bajramit, faljen e namazit të bajramit dhe këndimit të tekbireve, përmes zgjerimit të higjienës personale, familjare dhe të xhematit (larjes së trupit, abdestit, zbukurimit të shtëpisë, vendit të banimit (shtëpisë, banesës), xhamisë dhe mesxhidit, etj), veshjes së rrobave të bukura, vizita e të afërmve dhe miqëve, urimi dhe komunikimi në mes të myslimanëve, përgatitja e ushqimeve dhe ëmbëlsirave për mysafirët në këto ditë e deri te ndarja e mishit të kurbanit me ç’rast përmirësohet dukshëm imazhi i gjendjes sociale të shumë individëve, përmirësohet edhe dashuria ndërmjet besimtarëve, në këtë mënyrë, ajo forcohet dhe bëhet akoma më e fortë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.