“Kujtesa jonë është fëminore dhe ajo ruan vetëm atë që kemi nevojë.” (Milosz)
“Bradley thotë se një nga ndikimet e poezisë do të duhej të ishte ky: të na krijonte përshtypjen se po na kujton diçka të harruar, dhe jo të na zbulojë një gjë të re. Duke lexuar një poezi të bukur ne mendojmë se edhe ne mund ta kishim shkruar; se kjo poezi ka paraekzistuar tek ne. Kjo na shpie te përkufizimi që jep Platoni për poezinë: “kjo gjë e lehtë, flatrore dhe e shenjtë”.” (Borges)
Marrëdhënia mes kujtesës dhe harresës është e mahnitshme dhe enigmatike në të njëjtën kohë. Po ashtu, është enigmatike ngaqë është e mahnitshme, dhe është e mahnitshme ngaqë është enigmatike.
Vazhdimësia apo pafundësia e njeriut është e lidhur ngushtë me të kujtuarit, dhe këtu bën pjesë qoftë kujtesa në kuptimin e gjurmimit të kujtimeve, qoftë kujtesa që i tejkalon këto kujtime.
Me sa duket, një nga plagët tona është edhe fakti se “harrojmë shpejt”, apo “kemi kujtesë të shkrutër”, siç dëgjojmë të thuhet herë pas here.
Harresa në këtë rast, natyrisht, nuk është ajo harresë që është e brendashkruar në natyrën njerëzore, për të cilën do flasim në vijim të kësaj eseje, por një trajtë krejt tjetër e harresës: harresa e çështjeve apo e disa prej problemeve që e kanë ndjekur njeriun që në agshol të historisë së tij, ku kujdesi apo shqetësimi ndaj tyre përcaktonte qenien si të tillë, ose, nga ana tjetër, patillësinë që shënjnon shndërrimin e papërballueshëm, që vë në pikëpyetje vetë thelbin.
Pak a shumë këtë gjurmon një vepër si ajo e Kafka-s, sidomos novela Metamorfoza, ku subjekti bëhet më i kapshëm. Një dukuri tipike e kohës sonë është tkurrja e aftësisë sonë për të komunikuar qenësishëm (rrjedhojë: vetmia me njerëz) dhe, nga ana tjetër, zhvillimi i aftësisë për të komunikuar me kafshë të ndryshme të buta apo të egra (rrjedhojë: kafsha është pjesëtar, me emër, me personalitet).
Top of Form
Kur flasim për kujtesën, njëkohësisht jemi duke folur edhe për harresën, si dhe vice versa. Është e pamundur të ndodhë ndryshe – nuk mund të ndahen, megjithëse janë dy gjendje krejt të ndryshme. Kjo shënon anën enigmatike të çështjes.
Ekuilibri i mundshëm dhe jo i përsosur që duhet pasur parasysh mes kujtesës dhe harresës është i mundur vetëm duke ndrequr dhe përmirësuar marrëdhënien tonë me kujtesën: për aq sa do jemi të prirë të kërkojmë përmbushjen e vazhdueshme qenësore, e jo vetëm atë lëndore, po aq do jemi në harmoni edhe me harresën. Ndër të tjera nuk do kemi ngërçe, të llojit të harrosh të harrosh, apo të kujtohesh të kujtosh.
Por, Borges-i pikas edhe këtë: “Defekti më i madh i harrimit është se nganjëherë përfshihet në kujtesë.”
Lloji i harresës që po trajtojmë nuk është pasojë e jetesës në “hartën e realitetit”, por kjo e fundit është pasojë e harresës sonë.
Një pasojë tjetër për t’u përmendur (kujtuar) është edhe lloji i njeriut Funes, një personazh i Borges-it, i cili kujton gjithçka, “një njeri me kujtesë totale, i paaftë që të arsyetojë, sepse është i paaftë që të filtrojë.” (Eco)
Kështu, është fare e kuptueshme ajo që thotë Borges-i, se të gjithë mësuesit e mëdhenj të njerëzimit, kanë dhënë mësime gojarisht, sepse kujtesa ruhet duke i përmendur vetes dhe njëri-tjetrit të tjera gjëra nga ato që i takojnë rrjedhës së përditshme, pra jo vetëm duke shkruar ato, por duke i biseduar.
“Në lashtësi nuk kishin një kult të librit siç e kemi ne – dhe kjo nuk më befason; ata shihnin te libri një surrogato të fjalës së folur. Shprehja që përdoret shpesh, scripta manet verba volant, nuk ka kuptimin që fjala është jetëshkurtër, porse shkrimi ka diçka të ngurosur si vdekja. Në të kundërt, fjala ka diçka të lehtë, flatrore; diçka flatrore e të shenjtë, siç thotë Platoni.” (Borges)
Trajtimi i një çështjeje drejtpërdrejt/ballë për ballë kishte një rëndësi shumë më të madhe sesa trajtimi i saj me shkrim. Të jetosh është më e rëndësishme sesa të mendosh. Gjërat zgjidhen duke vepruar, jo duke menduar.
Do ishte vërtet mirë që kur të kujtonim t’i harronim gjërat e parëndësishme, si çlirim prej tyre; dhe kur të harronim, të riktheheshim me një kujtesë edhe më të freskët.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.