Kur konstatojmë në çfarëdo mënyre qoftë se motori është nxehur, duhet kërkuar shkakun. Së pari shikohet nëse në radiator ka ujë të mjaftueshëm dhe se kapaku ka qenë i mbyllur.
Sasia e pamjaftueshme e ujit dhe kapaku i pa mbyllur mirë, mund të shkaktojnë nxehjen e motorit. Nëse në radiator duhet shpesh të hedhim ujë, duhet kërkuar shkakun pse humbet uji. Është e domosdoshme që të kontrollohet sistemi për ftohje mos po rrjedh ujë nga gypat e pompës ose nga vetë blloku i motorit.
Me këtë rast, vetë përdoruesi mund të evitojë disa prishje: zëvendësimi i kapakut të radiatorit – ftohësit, nëse ai është i prishur, zëvendësimi i markuçit – gypit në sistemin e ftohjes, nëse e lëshojnë ujin. Traktoristi, pa praninë e personit profesionist, nuk mund ta lëshojë ujin nga pompa, ftohësi apo blloku i motorit.
Nëse të gjitha këto që u thanë janë në rregull, atëherë kontrollohet rripi i dhëmbëzuar që e vë në lëvizje pompën dhe dinamon, se a është mjaft i shtrënguar. Gjithashtu duhet kontrolluar edhe gjendjen e qelizave të ftohësit në aspektin e pastërtisë, sepse ato mund të mbushën me papastërti dhe me barë.
Në të vërtetë, rripi i vjetruar i dhëmbëzuar dhe i shtrënguar jo sa duhet, mund të rrëshqas dhe në këtë mënyrë zvogëlohen rrotullimet e pompës dhe kështu kemi qarkullim të pamjaftueshëm të ujit dhe natyrisht ndodhë nxehja e motorit.
Kjo evitohet nëse e ndërrojmë rripin e dhëmbëzuar, ose edhe nëse shtrëngojmë rripin në fjalë. Shtrëngimi bëhet duke rrotulluar bulonat në bartësin e dinamos, por nuk duhet shtrënguar shumë. Mbyllja e qelizave të ftohësit me papastërti dhe me copa bari shkakton zvogëlimin e qarkullimit të ajrit dhe me këtë edhe ftohje e zvogëluar e ujit në ftohës, që mund të dukshëm mund të ndikojë në nxehjen e tepërt të motorit.
Papastërtia evitohet duke e shpëlarë ftohësin – radiatorin me vrushkull uji nga pjesa e jashtme. Këtë mënyrë të pastrimit duhet përsëritur sa më shpesh si masë për mirëmbajtjen e traktorit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.