Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti sot në takim Kryeshefen Ekzekutive të Postës së Kosovës, Nora Rraci, të shoqëruar nga Saranda Ademi – U.D. e drejtoreshës së Operativës, Mimoza Vila – U.D. e menaxheres Regjionale në Prizren, si dhe Faton Ejupi – U.D.i koordinatorit për Pronat.
Në këtë takim u bisedua për ecurinë e bashkëpunimit ndërmjet Postës së Kosovës dhe Komunës së Dragashit. Me këtë rast u nënshkrua edhe vazhdimi i Marrëveshjes për kryerjen e shërbimeve komunale përmes postës, e cila ka për qëllim që t’u ofrojë qytetarëve të Komunës sonë qasje më të lehtë dhe shërbime më cilësore.
Gjithashtu, sot u nënshkrua edhe kontrata e cila i mundëson Postës së Kosovës shfrytëzimin e pronës së paluajtshme komunale (objektin në fshatin Bresanë) për 99 vite, bazuar në Vendimin e Asamblesë Komunale të datës 15.09.2023.
Kryetari Xheladini i falënderoi për bashkëpunimin përfaqësuesit e Postës së Kosovës, duke shtuar se Komuna e Dragashit është e interesuar që t’i ndihmojë institucionet publike siç është Posta, duke u ofruar në të njëjtën kohë edhe qytetarëve shërbime më të mira.
Në takim u fol edhe për Projektin e Postës së Kosovës, e cila nga qershori i këtij viti është duke u ofruar qytetarëve të Regjionit të Prizrenit, përfshirë Dragashin, edhe shërbimet e aplikimit për Vula Apostile dhe Legalizuese. Të gjithë qytetarët e Komunës së Dragashit të cilët aplikojnë për këto dokumente, mund ta bëjnë këtë përmes Postës në Dragash.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.