Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se nga ardhja e tij në krye të OEK-ut ka bërë takim me institucionet udhëheqëse të vendit duke adresuar kërkesat e bizneseve.
Ai shtoi se kërkesat që i janë parashtruar ministrive të ndryshme janë trajtuar me prioritet shumë të lartë, që sipas tij ky është edhe një lajm shumë i mirë për bizneset.
“Unë si kryetar i Odës, ashtu siç e kërkon protokolli i shtetit i kam adresuar kërkesat nëpër institucionet e vendit, takimin e parë e kam realizua me Kryeparlamentarin një takim shumë të mirë, ai ka shprehur mbështetjen e tij për ti ndihmuar bizneset nëpërmjet komisioneve të Kuvendit. Varësisht kërkesave të bizneseve që kanë ardhur kemi pasur kërkesa për ministri të caktuara dhe e them me sinqeritet se janë trajtuar me prioritet shumë të lartë, kjo është një lajm shumë i mirë edhe bizneset vetë e kanë parë që ministrit përkatëse janë përgjigjur kërkesave dhe shpresojmë që ka bashkëpunim të thellohet” tha ai.
Në anën tjetër, Rafuna shprehu shqetësimin e tij në lidhje me Ligjin për Investime Strategjike, ai tha se ky ligj është shumë problem për një investitor strategjik dhe se duhet të ndryshohet me urgjencë.
“Besoj që Ligji për Investime Strategjike nuk e ka arritur qëllimin për çka është sjellë. Vetë procedurat brenda atij ligji që parashohin disa afate të tej zgjatura është shumë problem për një investitor strategjik që të vije dhe nëpërmjet atij ligji të futet në Kosovë, për arsye se një investitor strategjikë që vjen me investuar me miliarda në Kosovë ai nuk humbë kohë duke kaluar nëpër procedura të ndryshme të ligjit. Ky ligj duhet me urgjencë me u ndryshua, ne si Odë Ekonomike do ta kemi brenda Odës një sektor i cili do të jetë për investimet e huaja” tha ai.
Rafuna shtoi se problem në Kosovë është edhe mungesa e punëtorëve, pasi sipas tij të rinjtë janë duke ikur nga vendi për shkak të një jete më të mirë.
Ai shtoi se sektorët më të atakuar nga kjo dukuri janë sektori i ndërtimtarisë, gastronomisë dhe sektori i prodhimit.
Rafuna tha se nga mungesa e punëtorëve do tu shfaqen probleme shumë të mëdha bizneseve të cilat sipas tij do të detyrohen të importojnë fuqi punëtore nga jashtë vendit.
“Sektorët më të atakuar për mungesë të punëtorëve janë sektori i ndërtimtarisë, gastronomisë dhe sektori i prodhimit, këto janë tri sektorët që na kanë shfaqur shqetësimin e madh për mungesë të punëtorëve. Pse janë duke ikur punëtorët janë disa arsye, e para sepse janë në kërkim të një jetë më të mirë, e dyta ne duhet të punojmë shumë me institucionet e vendit që ta kemi një strategji të re se si ta parandalojmë ikjen e të rinjve” tha Rafuna”.
“Problemet do të shfaqen në mungesë të punëtorëve, sepse kompanitë do të jenë të detyruara të riorganizohen, do të jenë të detyruara që të importojnë fuqi punëtore prej vendeve të tjera. Tashmë kanë filluar të vinë, sidomos prej Turqisë me importuar fuqi punëtore, që kjo nuk është një zgjidhje për biznesin” tha ai. /EO
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.