Kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, priti sot në takim përfaqësues të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, z.Zenel Zenelaj – Kryeshef Ekzekutiv i kësaj kompanie, z.Hysni Ahmeti – menaxher rajonal, dhe z.Izet Aliu – udhëheqës i Njësisë për Dragash.
Në këtë takim përfaqësuesit e Hidroregjionit Jugor u njoftuan nga Kryetari Xheladini për nënshkrimin e kontratës për Ujësjellësin kryesor, me ç’rast u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në mes të kësaj kompanie dhe Komunës së Dragashit për ta përcjellur mbarëvajtjen e këtij projekti të rëndësishëm kapital.
Gjithashtu, Kryetari Xheladini u shpreh i gatshëm që së bashku me Hidroregjionin Jugor t’i shqyrtojnë mundësitë për sigurimin e një lokacioni për ndërtimin e objektit të ri për stafin dhe punëtorët e Njësisë në Dragash.
Kryetari Xheladini kërkoi nga Kryeshefi i Hidroregjionit Jugor që kjo kompani ta përkrahë Komunën e Dragashit dhe të lobojë edhe tek niveli qendror sa i përket çështjes së ujit dhe ndërtimit të impianteve për trajtimin e ujërave të zeza.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.