Kryetar i Konferencës së Mynihut për Sigurinë: Rusia po luan lojëra kudo

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Intervista

Përveç luftës në Ukrainë, Rusia po përdor luftën hibride në vende të ndryshme për të arritur interesat e saj, paralajmëron Christoph Heusgen, kryetar i Konferencës së Mynihut për Sigurinë, në një intervistë për DW.

Zoti Ambasador, në fjalën e hapjes së Takimit të krerëve të Konferencës së Mynihut për Sigurinë, presidenti rumun theksoi, se rajoni i Detit të Zi ka kohë që është kthyer në objektivin kryesor të sjelljes agresive të Rusisë. Ç’duhet të bëjë NATO në rajon nga pikëpamja ushtarake në mënyrë që të dekurajojë Rusinë?  

Christoph Heusgen: Presidenti rumun ka të drejtë, NATO nuk është përqendruar sa duhet në Detin e Zi. Ne të gjithë i kemi pasur sytë tek Deti Baltik, ku po ashtu agresioni rus është prezent, por lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka kthyer Detin e Zi në qendër të vëmendjes sonë. Po, ne duhet të jemi më aktivë në rajon, dhe për këtë po japim një sinjal duke mbajtur në Budapest takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s. Po ashtu, Konferenca e Sigurisë në Mynih organizon për herë të parë këtu Takimin e krerëve të Mynihut. Unë mendoj se dëshira e presidentit rumun, për të tërhequr më shumë vëmendjen për këtë rajon po merret aktualisht parasysh nga partnerët.

A duhet të përpiqet, sipas mendimit tuaj, Ukraina për ta rimarrë Krimenë? 

Christoph Heusgen: Krimeja është pjesë e Ukrainës dhe Ukraina ka gjithë të drejtat që ta rimarrë dhe të mbajë territorin e saj, por ky vendim duhet marrë nga Ukraina vetë. Gjermania është munduar shumë që të përballojë sfidat diplomatike që kemi pasur me Rusinë gjatë invazionit të parë më 2014 dhe 2015, ne u munduam të gjejmë një zgjidhje diplomatike me anë të Marrëveshjes së Minskut. Tani Rusia i ka lënë mënjanë të gjitha këto përpjekje, Rusia është bërë shumë agresive, Rusia është përgjegjëse për vdekjen e dhjetra-mijëra vetëve, po të shihni si e kanë shkatërruar Mariupolin, ata e kanë shkatërruar atë siç kanë shkatërruar Groznin. Nga kjo pikëpamje, ne duhet të mbështesim Ukrainën plotësisht dhe nëqoftëse ukrainasit janë në gjendje të rimarrin Krimenë, ne do t’i mbështesim.

A mendoni se NATO duhet të ketë një flotë të përbashkët detare në Detin e Zi me pjesëmarrjen e Rumanisë, të Bullgarisë dhe të Turqisë?  

Christoph Heusgen: Unë mendoj se ne duhet të përqendrohemi tek Deti i Zi, ne duhet të jemi aty të pranishëm. Në të njëjtën kohë, ne duhet t’i përmbahemi respektimit të rendit ndërkombëtar të bazuar tek ligjet, ne duhet t’u përmbahemi rregullave. Prandaj ne duhet të respektojmë Konventën e Montrosë (Montreux), por brenda kuadrit të saj duhet të jemi më të pranishëm, më aktivë në rajonin e Detit të Zi.

Rëndësia e Rumanisë dhe Polonisë është rritur pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. A varet Europa në ndonjë mënyrë nga këto vende? A janë duke krijuar këto vende një qendër të re në Europë?  

Christoph Heusgen: Mua nuk më ka pëlqyer asnjëherë ideja e krijimit të një qendre në Europë. Europa është komunitet i 27 vendeve, çdo vend ka rolin e vet. Nganjëherë përqendrimi bëhet më shumë tek një rajon, pastaj tek një rajon tjetër. Prandaj ne duhet të bashkëpunojmë dhe në këtë fazë fokusi është tek ky rajon, por edhe rajonet e tjera janë po aq të rëndësishme.

Çfarë mund t’i ofrojë NATO Republikës së Moldavisë?  

Christoph Heusgen: Në këtë fazë ne duhet ta mbështesim Moldavinë. Ajo ç’po ndodh në Moldavi  është fatkeqësi e madhe. Edhe moldavët janë viktima të agresionit të Rusisë. Ata janë viktima, sepse shumë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe kanë gjetur strehim në Moldavi, njërin nga vendet më të varfëra të Europës, i cili u ka ndihmuar shumë. Por më e rëndësishmja është se Rusia, është duke manovruar në shumë mënyra, ata kanë rritur çmimin e gazit duke e bërë edhe më të vështirë jetën për moldavët, ata bëjnë shantazh duke u përpjekur ta kthejnë Moldavinë në sferë të ndikimit të tyre, prandaj ne duhet ta mbështesim Molavinë me të gjitha mënyrat, por sidomos tani duhet ta ndihmojmë ekonomikisht. Ata kanë nevojë për mbështetje buxhetore, dhe ne duhet t’ua japim këtë mbështetje.

A mund të luftohet ose ndalohet lufta hibride e Rusisë në Evropë, që po bën për shembull me anë të propagandës dhe shantazhit me gazin?  

Christoph Heusgen: Vitet e fundit ne kemi parë se sidomos Rusia është duke përdorur luftë hibride për të arritur intereset e veta. Ne e kemi parë një gjë të tillë, dhe kur kemi folur me amerikanët ata na kanë thënë se zgjedhja e Donald Trumpit, ka qenë të paktën pjesërisht, rezultat i ndërhyrjes së rusëve. Ne e kemi parë një gjë të tillë në shumë vende dhe duhet të bëhemi më vigjilentë. Nganjëherë ne jemi shumë naivë, kur vjen puna tek liria e mediave, ne jemi në favor të saj, por kur propaganda përdoret shumë, kur objektivizmi mungon, dhe mediat përdoren në favor të interesave të diktatorëve, ose në favor të dikujt që ka bërë krime lufte, krime kundër njerëzimit, ne nuk duhet ta mbështesim më këtë .

A është e mundur një gjë e tillë? 

Christoph Heusgen: Unë mendoj se ne jemi në gjendje të bëjmë shumë gjëra. Së pari, nuk duhet të lejojmë propagandën, duhet ta luftojmë atë. Dhe duhet të rrisim imunitetin ndaj propagandës, dhe kjo fillon me edukimin. Në botën e tanishme, ne duhet t’u mësojmë fëmijëve në shkollë si t’i trajtojnë mediat sociale, si të dallojnë lajmet e rreme nga lajmet e vërteta, që janë të ekuilibruara mirë dhe janë rezultat i kërkimeve të thella, pra ka shumë punë për t’u bërë në fushën e edukimit.

Çfarë duhet bërë kundër Rusisë në Ballkan, ku Serbia historikisht është vend aleat? Po ashtu çfarë duhet bërë në vendet e Evropës lindore, ku Rusia është prezente dhe ka ndikim me anë të propagandës dhe Kishës Ortodokse. 

Christoph Heusgen: Ne e shohim këtë gjë dhe duhet të jemi më aktivë, duhet të jemi më të pranishëm atje. Nganjëherë të dhemb shumë kur sheh që në ato vende ku investitori më i madh, partneri më i rëndësishëm tregtar është BE-ja, njerëzit çmojnë Rusinë dhe madje demostrojnë në favor të Rusisë. Unë mendoj se ne duhet të bëjmë publicitet më të mirë duke treguar çfarë është duke bërë Evropa. Në vendet ku Rusia është popullore dhe ku nuk dënohet çfarë është duke bërë Rusia në Ukrainë, ne duhet të jemi më aktivë, ashtu siç duhet të jemi edhe jashtë Europës. Një nga sfidat më të mëdha që po hasim është, se shumë vende të të ashtuquajturit Jugu Global, janë ekuidistantë, kanë vlerësim të njëjtë si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë, kur bëhet fjalë për konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë. Dhe ne duhet ta bëjmë të qartë se ajo që Rusia është duke bërë në Ukrainë, nuk është vazhdim i konfliktit Lindje-Perëndim, por shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare. Sipas Kartës së OKB-së Rusia është duke shkatërruar njerëzimin, dhe ne duhet ta bëjmë këtë shumë të qartë. Por, ne mund ta bëjmë një gjë të tillë, vetëm nëse si Bashkimi Evropian ashtu edhe shtetet e veçanta janë më aktivë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine.

Si diplomat me eksperiencë të madhe kur është sipas mendimit tuaj koha më e mirë për të filluar me bisedimet dhe ndaluar luftën? 

Christoph Heusgen: Siç e thashë dhe më parë, ne jemi munduar shumë me Rusinë për të zgjidhur konfliktin e Ukrainës me rrugë diplomatike. Putini vendosi të përdorë mjetet ushtarake. Dhe unë i kuptoj ukrainasit kur thonë se nuk mund të nënshkruajnë një marrëveshje me Rusinë, sepse Rusia nuk i përmbahet asnjë marrëveshjeje të nënshkruar në të kaluarën. Ishte Rusia që nënshkroi në vitin 1994 Memorandumin e Budapestit, kur Rusia tha se nëse Ukraina dorëzon armët atomike të stacionuara në territorin e saj, Rusia, do të japë garanci për integritetin territorial të Ukrainës, sovranitetin e saj. Në atë kohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte ambasador në OKB dhe kërkoi me ngulm që Memorandumi i Budapestit të kthehej në dokument të Këshillit të Sigurimit. Ju duhet të kuptoni, se ne nuk mund t’u kërkojmë ukrainasve të nënshkruajnë një marrëveshje me Sergei Lavrovin, sepse ne e dimë se ai është gënjeshtar. Prandaj, ajo që na duhet është së pari që ukrainasit të marrin drejtimin dhe të vendosin kur është koha për të bërë marrëveshje. Dhe nëse ata kërkojnë garanci sigurie, atëherë ne duhet t’ia ofrojmë Ukrainës këto garanci sigurie.

A mendoni se vetoja e Austrisë kundër përfshirjes së Rumanisë në zonën e Shengenit, mund të jetë në favor të Rusisë? 

Chrisoph Heusgen: Kur BE-ja është e përçarë, Rusia sheh atë që do, një Bashkim Evropian të dobët. Kur arrijnë sukses në futjen e spicave midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Rusia bën festë. Prandaj, në këto kohëra kur jemi duke u përballur me agresionin e Rusisë, BE-ja duhet të jetë e bashkuar, NATO duhet të jetë e bashkuar, Aleanca Atlantike duhet të jetë e bashkuar, sepse përndryshe fiton Rusia.

Po, por ndarjet ekzistojnë, si p.sh. nëse flasim për Hungarinë, Austrinë, mbase dhe vende të tjera… 

Christoph Heusgen: Ne duhet ta bëjmë të qartë se kjo është e papranueshme. Sigurisht, që kur vjen puna tek anëtarësimi duhet tëjenë dakord të gjitha grupet e ndryshme që kemi, kur ju aplikoni për t’u futur në një organizatë, sigurisht që duhet të plotësoni kushtet, kjo është shumë e rëndësishme. Sot, ne shohim sa të vështirë e ka BE-ja me vende si Hungaria, e cila është anëtare me të drejta të plota të BE-së, por ka kohë që nuk u përmbahet vlerave bazë të BE-së, shohim sa e vështirë është të bashkëpunosh me kolegë të tillë. Prandaj, ne duhet të sigurojmë funksionimin e BE-së si organizatë, që bazohet në respektimin e ligjeve, e vlerave që përshkruhen në marrëveshjet evropiane. Ne duhet të parandalojmë luajtjen lojërave me to.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-