Kryeministri Kurti e konsideron “kurorëzim të suksesshëm” samitin e fundit të Procesit të Berlinit

Opoja.net Opoja.net Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka informuar kabinetin qeveritar në mbledhjen e Qeverisë, lidhur me pjesëmarrjen dhe marrëveshjet e nënshkruara në samitin e fundit në kuadër të Procesit të Berlinit, raporton Anadolu.

Kurti, para anëtarëve të kabinetit qeveritar konsideroi se procesi u “kurorëzua suksesshëm” derisa theksoi se Kosova ka qenë një mbështetëse e palëkundur e këtij procesi.

“(Republika e Kosovës) është angazhuar shumë që 10 vjet për Procesin e Berlinit në mënyrë që atë ta kurorëzojmë suksesshëm, siç edhe bëmë. Doli të jetë një proces i suksesshëm, i cili ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku me BE-në”, tha Kurti.

Ai potencoi edhe paralajmërimin që nga 1 janari 2025, shtetasve të Bosnjë e Hercegovinës t’u hiqet regjimi i vizave për të hyrë në territorin e Republikë së Kosovës.

“Në Berlin kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samitet e këtij procesi. Ndërkohë, që paralajmëruam vendimin për t’i dhënë fund pritjes gati dyvjeçare që Bosnjë e Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të nënshkruar po ashtu në Berlin, saktësisht më 3 nëntor 2022, duke ua mundësuar qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës që të udhëtojnë me letërnjoftime në drejtim të Kosovës nga 1 janari 2025”, theksoi Kurti.

Çështja e vendimit të njëanshëm të kryeministrit Kurti për heqjen e vizave për qytetarët boshnjakë u diskutua të martën edhe në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës (BeH).

Kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq tha se “një mesazh shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal” ka ardhur nga qeveria dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mik i madh”. Derisa, anëtarja e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq iu kundërpërgjigj kreut të Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, duke thënë se “nuk është e denjë për ne që ta përfshijmë Kosovën në bisedë me presidentin e një shteti tjetër. Pa marrë parasysh se është Republika e Shqipërisë”.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë foli po ashtu edhe për deklaratën e nënshkruar për Tregun e Përbashkët Rajonal 2024-2028 dhe miratimin e Planit të ri të veprimit i cili tha se “tashmë është shtyllë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga i cili Republika jonë përfiton deri në 882.6 milionë euro”.

Ai tha se zbatimi i këtyre masave mund të sjellë rritje prej 10 për qind në ekonomitë e shteteve të rajonit si dhe të afrojë rajonin me tregun unik të BE-së.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-