KQZ obligohet të zbatojë vendimin e Supremes, Kurti dhe të tjerët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Opoja.net Opoja.net Kosova

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme që ia ndalon kandidimin në garën elektorale të 14 shkurtit.

Kurti mund të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese nëse vendimi i Supremes ia cenon të drejtat e tij themelore për pjesëmarrje në garë zgjedhore anipse ka një vendim të plotëfuqishëm në tri vitet e fundit për vepër penale.

Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të garojnë përpos Kurtit as Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriqi, të cilët, po ashtu, kanë dënime për vepra penale në tri vitet e fundit. Ndërkaq, Supremja ka lejuar Luburn Aliun dhe Labinotë Demi-Murtezi të kandidojnë pasi dënimet ndaj tyre mbushin më shumë se tre vjet deri në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt.

Supremja e ka aprovuar pjesërisht edhe kërkesën e AAK-së, duke e kthyer në listën e kandidatëve Shemsedin Dreshajn pasi dënimi ndaj tij mbush tre vite para datës 14 shkurt kur do të mbahen zgjedhjet nacionale.

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesat ndaj PZAP-it të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, të Novo Demokratska Stranka dhe të NISMA-s për Kosovën. Partia e Fatmir Limajt do t’i ketë 12 kandidatë më pak në listën elektorale.

Vendimi i Supremes vjen pasi Paneli për Ankesa dhe Parashtresa dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosen që mos t’i lejojnë asnjë kandidat që ka dënim të plotëfuqishëm në tri vitet e fundit të garojë në zgjedhjet nacionale.

Një Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për rastin e ish-deputetit Ethem Arifi, kishte vendosur një standard të ri, duke ndaluar kandidaturat për deputetë për të gjithë ata që kanë vendime të plotëfuqishme në tri vitet e fundit për veprat panele.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një përgjigje për “Kohën Ditore” kishte thënë se vendimi i Gjykatës Supreme është final dhe i njëjti vendim zbatohet nga KQZ-ja.

“Në bazë të Ligjit dhe afateve ligjore aktuale, Gjykata Supreme varësisht prej ankesave që mund të pranojë në raport me vendimet e PZAP-së lidhur me certifikimin e listave të partive politike dhe kandidatëve deri më 30 janar 2021, duhet të vendosë lidhur me këto ankesa dhe të njëjtat t’ua dërgojë palëve të interesuara, PZAP-së dhe KQZ-së”, thotë Miftaraj.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është final sa u përket mjeteve të rregullta juridike dhe i njëjti zbatohet nga KQZ-ja pa të drejtë intervenimi, ndryshimi apo plotësimi”.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi rikujton se ndaj vendimit të Supremes ka të drejtë ankese në Gjykatën Kushtetuese, por që ankesa nuk ka ndikim në afatet dhe procesin zgjedhor.

Kësisoj, kur ta bëjë certifikimin, KQZ-ja nuk është e obliguar ta presë përgjigjen e Kushtetueses.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe:
- Reklama-
- Reklama-