Ushtria dhe Policia e Kosovës kanë parakaluar nëpër sheshet e Prishtinës për nder të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu.
Në parakalimin e njësive ushtarake dhe policore të Kosovës në sheshin “George Bush”, në kryeqytet, në prani të krerëve të institucioneve morën pjesë edhe shumë qytetarë për të parë kapacitetet e sigurisë dhe mbrojtjes shtetërore.
Para se të niste parakalimi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se populli i Kosovës ka luftuar dhe sakrifikuar për pavarësinë. Osmani tha se “falë ushtrisë dhe policisë që sot parakalojnë arritëm ta mbrojmë edhe çdo pëllëmbë të shtetit tonë”.
“Në këtë 17-vjetor të shtetit tonë, ne jemi këtu sepse qëndruam dhe rezistuam. Ne jemi sot këtu sepse luftuam, sepse sakrifikuam, sepse nuk u përkulëm kurrë para dhunës, para padrejtësisë, mizorisë. Jemi këtu sot sepse ia dolëm të ringrihemi, ta ndërtojmë dhe ta forcojmë shtetin tonë”, tha Osmani.
Ajo përmendi komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari dhe sakrificën e familjes së tij për lirinë e vendit.
Osmani tha se ushtria kosovare do të jetë gjithnjë në mbrojtje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së qytetarëve, derisa falënderoi edhe miqtë e Kosovës për ndihmën e vazhdueshme.
Kryeministri Albin Kurti tha se Republika e Kosovës mund të jetë shteti më i ri në kontinentin e vjetër, por ai mund të jetë shteti me historinë më të gjatë të përpjekjes për krijimin e tij. Ai shtoi se pas Kosovës shtrihet një histori e gjatë e rezistencës, luftës dhe angazhimit të popullit për të arritur në pavarësi.
“Republika e Kosovës është rezultat i të gjithë atyre, që luftuan e u përpoqën për këtë vend, që nga kryengritjet e viteve 1910, 1911 dhe 1912 me Hasan Prishtinën e deri te rreshteri Afrim Bunjaku, heroi më i ri i Kosovës. Republika e Kosovës është rezultat i protestave qytetare, demonstratave popullore, grevave të punëtorëve e minatorëve e dhjetëra mijëra të burgosurve politikë”, theksoi Kurti.
Ai potencoi se Republika e Kosovës është rezultat i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ndihmuar nga aleatët perëndimorë, sipas tij, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.