Kosovë, prezantohet koncepti fillestar i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Çeku nëpërmjet një konference për media ka thënë se për gjashtë vitet e ardhshme janë zotuar mbi 253 milionë euro si buxhet i veçantë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Çeku nëpërmjet një konference për media ka thënë se për gjashtë vitet e ardhshme janë zotuar mbi 253 milionë euro si buxhet i veçantë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Opoja.net Opoja.net Sport

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, ka prezantuar konceptin fillestar të Lojërave Mesdhetare 2030 të cilat do të mbahen në Kosovë, raporton Anadolu.

Çeku nëpërmjet një konference për media ka thënë se për gjashtë vitet e ardhshme janë zotuar mbi 253 milionë euro si buxhet i veçantë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, pa përfshirë këtu financimin e rregullt të sportit brenda Kosovës.

Ministri kosovar tha se nëse krahasohet madhësia e Kosovës, numri i popullatës kosovare, zhvillimi i gjithëmbarshëm i vendit, “Lojërat Mesdhetare për Kosovën janë të të njëjtit nivel sikurse janë Lojërat Olimpike për Francën”.

“Koncepti me të cilin kemi fituar aktualisht ka dy shtete dhe 11 komuna të cilat do të shndërrohen në qendra të këtij organizimi, duke përfshirë 10 komuna në Kosovë dhe komunën e Durrësit në Shqipëri”, theksoi Çeku.

Çeku tha se sportet do të shtrihen në komuna të ndryshme, përfshirë rreth 25 për qind të sporteve dhe garave që do të zhvillohen në Prishtinë, 9 për qind në Podujevë, Gjakovë e Pejë, 6 për qind në Prizren, Gjilan e Mitrovicë, si dhe 3 për qind në Skenderaj, Drenas, Ferizaj e Durrës.

Tutje, ministri tha se parashihet edhe renovimi i plotë i Qendrës së Studentëve që do të shërbejë për nevojat e Fshatit Mesdhetar, ndërsa më pas do të ofroj kushte të mira edhe për studentët.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, nga ana e tij, tha se 8 shtatori 2023, data kur Kosova u konfirmua si vendi ku do të mbahen Lojërat Mesdhetare 2030, është tani datë historike për sportin kosovar.

Krasniqi tha se marrja e organizimit të një ngjarje kaq madhore të cilës rinia kosovare do t’i gëzojë të mirat për dekada me radhë, ka qenë premtim dhe synim i tij dhe i KOK-ut.

“Ka një vit që jemi përballur me sfida të ndryshme për ta përjetuar këtë moment historik. Sfida më e madhe ishte mungesa e daljes në det, e cila na penalizoi dhe na detyroi ta ndryshojmë statusin, ku do të duhej të ndryshohej kjo pikë”, theksoi Krasniqi.

Ai tha se sfida të tjera për t’u pranuar si vend ku do të organizohen këto lojëra ishin edhe mungesa e infrastrukturës në vend, si dhe ofensiva e jashtëzakonshme e Serbisë e cila “me të gjitha forcat tentonte ta parandalonte kandidaturën tonë”.

Në konferencë u bë e ditur se janë 24 objekte sportive prej të cilave 10 do të rinovohen, katër do të ndërtohen të reja, do të vazhdohet puna për pesë të tjera të cilat veçse janë në ndërtim, ndërsa do të bëhen edhe pesë investime të përkohshme që do t’i shërbejnë sportistëve në disiplina të ndryshme si 3X3 basketboll, lundrim, çiklizëm e të tjera.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-