Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar me 76 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim, rezolutë parlamentare me disa pika të cilat nuk e lejojnë mbajtjen e referendumit për drejtësi të Serbisë në territorin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Kurti, i cili u bëri ftesë deputetëve ta votojnë rezolutën e propozuar nga ai, bëri të ditur se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë është e garantuar me Kushtetutë, por ushtrimi i saj duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën kosovare.
Ai tha se një gjë të tillë e thotë edhe praktika evropiane, ndërsa mbajtja e tyre në formën e njëjtë si në Serbi ashtu edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë e cenon sovranitetin e Republikës dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ligjet, normat dhe praktikat ndërkombëtare.
“Në Republikën e Kosovës, të drejtat dhe liritë themelore vlejnë për të gjithë qytetarët e republikës. Vlejnë njësoj edhe kur vjen fjala për të drejtën e votës. Me këtë logjikë, votimi për referendumin që do të mbahet nga Serbia, i garanton pjesëmarrjen komunitetit jo-shumicë serb në bazë të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi në Republikë ne Kosovës, por ushtrimi i kësaj të drejtë duhet të bëhet nën ombrellën e këtyre normave juridike tonat”, tha Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se shtrirja e sovranitetit serb mbi Kosovën është e papranueshme dhe në këtë aspekt kjo parti është në vijë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Ai tha se një gjë e tillë është praktikë e papranueshme ndërkombëtare dhe jodemokratike.
“Për ne, për LDK-në, mbajtja e referendumit kushtetues të një shteti tjetër në Kosovë është çështje e mbyllur para se të nisë. Sepse, kjo tendencë përveçse jokushtetuese dhe jashtë normave aktuale ligjore të vendit tonë, është praktikë e papranueshme ndërkombëtare, është praktikë në kundërshtim me parimet bazike të demokracisë dhe në kundërshtim me relacionet që shtetet sovrane tregojnë ndaj njëra-tjetrës”, tha Abdixhiku.
Edhe partitë e tjera opozitare janë deklaruar kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, akuzoi Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Kurti si antiserbe dhe tha se seanca e sotme e Kuvendit ishte vetëm një farsë, ngase “vendimi ishte marrë paraprakisht”.
Simiq tha se miratimi i rezolutës së propozuar do të çonte në një akt që mohon të drejtat themelore njerëzore dhe demokratike për popullin serb në Kosovë.
“Ju jeni duke shkelur të gjitha rregullat dhe të drejtat themelore të njerëzve. Diskriminimi i popullit tonë është i gjatë, ju i dini mirë këto gjëra. Lista e gjërave të mira, cilatdo qofshin ato, për shqiptarët, serbët, romët, goranët, boshnjakët që kur është në krye kjo Qeveri, është shumë e shkurtër, apo inekzistente”, tha Simiq.
Në emër të Listës Serbe, Simiq i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndryshojë qëndrim pro lejimit të referendumit. Ai po ashtu tha se deputetët e Listës Serbe nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme sepse nuk duan t’i japin legjitimitet veprimeve antiserbe, duke u larguar më pas nga seanca.
Për referendumin i cili pritet të mbahet në Serbi dhe kërkesën e palës serbe që ai të mbahet edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë, më 9 janar kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell.
Megjithëse Borrell kërkoi nga Kurti lejimin e këtij referendumi në Kosovë, kryeministri kosovar ka thënë se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është se nuk mund të ketë referendum në Kosovë, por serbët me shtetësi të dyfishtë (të Kosovës dhe Serbisë) mund të votojnë me postë ose nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, e cila gjendet në ndërtesën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Serbia, më 16 janar, do të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë, ku do të deklarohen nëse pajtohen me ndryshimin kushtetutës në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.