Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se Kosova dhe Kroacia do të rrisin bashkëpunimin ndërmjet dy ushtrive.
Mehaj ka pritur sot Shefin e Shtabit të Ushtrisë Kroate, admiralin Hern ku bashkë kanë diskutuar rreth situatës aktuale gjeopolitike dhe situatën në Ballkan, njofton Klankosova.tv.
“Gjatë takimit me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Kroate, admiralin Hern dhe delegacionin përcjellës nga Republika e Kroacisë, diskutuam rreth situatës aktuale gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, situatës në Ballkan, dhe rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet shteteve aleate të këtij rajoni për t’i luftuar sulmet hibride. Admiralin e njoftova rreth avancimeve të FSK-së, si dhe funksionin që do e ketë Agjensioni i Intelegjencës për Siguri, nëpërmjet të cilit do rrisim edhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve në menaxhimin e informacioneve të rëndësishme në aspektin e sigurisë”.
Mehaj, mes tjerash, thotë se me Hern kanë diskutuar edhe për nënshkrimin e marrëveshjes SOFA, bashkëzbarkimin e forcave të të dyja shteteve.
“Biseduam dhe për nënshkrimin e marrëveshjes SOFA, bashkëzbarkimin e forcave të të dyja shteteve, e po ashtu për rëndësinë e ofrimit të përkrahjes së shtetit tonë mik Kroacisë, në procesin e anëtarësimit në Programin e Parteneriteti për Paqe, si rrugë drejt anëtarësimit në familjen e madhe euroatlantike të NATO-s. Misioni ynë është sigurimi dhe mbrojtja e atdheut dhe qytetarëve, ndërsa synimi ynë është ofrimi i kontributit edhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në kufij më të gjerë, përtej Ballkanit, në rajon dhe misione ndërkombëtare” ka shkruar Mehaj në Facebook.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.