Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka njoftuar se në prill të këtij viti do të fillojë funksionimi i sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.
Sipas Toshkovskit, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor, duke reduktuar “kohën e pritjes dhe duke lehtësuar kalimin e kufirit mes dy shteteve”.
“Në kuadër të një platforme të përbashkët ‘cloud’, të dhënat ndahen mes dy ministrive përkatëse, me qëllim që të mundësohet hyrja e qytetarëve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas, vetëm përmes konstatimit nga një zyrtar policor”, tha Toshkovski.
“Shpresoj që do të përfundojë muajin e ardhshëm dhe më së voni, gjatë muajit prill do të fillojmë me vënien zyrtarisht në funksion”, shtoi ai.
Këto deklarata ministri i bëri të premten, gjatë një vizite në pikën kufitare të Bllacës, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, dhe homologun e tij nga Kosova, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla, në anën tjetër, shprehu pritshmëri që faza testuese të përfundojë sa më shpejtë.
“Për qytetarët e të dyja vendeve është shumë me rëndësi që kalimi të jetë sa më i shpejtë. Për organet e shtetit është që ato të jenë sa më të sigurta. Patjetër se ne po i shfrytëzojmë të arriturat e fundit të teknologjisë që të zvogëlojmë burokracinë, por jo në kurriz të sigurisë, por në të mirë të kohës së qytetarëve”, tha Sveçla.
Pika kufitare në Bllacë është përballur kohët e fundit me kolona të gjata në të dy anët e kufirit. Procesi për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare ka filluar në qershor të vitit 2024. Në të njëjtën pikë, më 15 shkurt, u arrestua edhe një shtetas nga Kosova, sipas një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se i dyshuari, është arrestuar nën dyshimin për krime lufte në Kosovë më 1999.
Në lidhje me këtë rast, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, sqaroi se janë duke u marrë masa për “të siguruar që rastet e tilla të trajtohen në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet ndërkombëtare”.
“Kur ka kërkesa të tilla në INTERPOL nga Serbia, shtetet në rajon, shtetet evropiane, nuk i përfillin ato për shkak se është formuar gjykata speciale, dhe periudha 1999 – 2000 është një periudhë që nuk hyn në periudha të tjera”, tha Mexhiti.
Mediat në Maqedoninë e Veriut raportuan se i arrestuari ishte ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Ferizaji, por Mexhiti i hodhi poshtë këto raportime.
“Është evidente që shteti i Serbisë e keqpërdorë pjesëmarrjen në INTERPOL, vendos lista vend e pavend, shpeshherë edhe i përditëson në bazë të interesave ditore të tyre. Ka ndodhur një arrestim i një qytetari të Kosovës, nuk është ish-ushtar sepse në atë periudhë nuk ka qenë në Kosovë, por ka qenë në Gjermani, por jemi në kontakt me organet që sa më shpejt të zbardhet rasti dhe të lirohet qytetari”, tha Mexhiti për gazetën Lajm, në Maqedoninë e Veriut.
Për arrestimin e 55-vjeçarit nga Kosova me inicialet E.B., reagoi edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Partia i bëri thirrje Qeverisë ta rishikojë praktikën e zbatimit të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia.
Verën e vitit të kaluar, autoritetet në Maqedoninë e Veriut ndaluan edhe një tjetër ish-ushtar të UÇK-së, Blerim Ramadani, bazuar po ashtu në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
Ramadani, i cili akuzohet nga autoritetet serbe për krime lufte në rajonin e Nerodimes në vitin 1999, arriti të arratiset nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut, ku ishte urdhëruar nga gjykata në Shkup të qëndronte deri më 16 gusht, duke nxitur reagime nga Serbia.
Daçiq asokohe e cilësoi si “skandaloz” arratisjen nga arresti shtëpiak të Ramadanit.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, më 18 nëntor, kishte lënë të kuptohet se Shkupi nuk do të vazhdonte t’i zbatonte fletarrestimet e lëshuara nga Serbia përmes INTERPOL-it.
Kur ishte pyetur në lidhje me kërkesat e Serbisë për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Mickoski kishte thënë se “kushdo që nuk i shkel ligjet” e vendit të tij është i “mirëpritur” në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, më vonë, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, theksoi se deklaratat e Mickoskit ishin “keqkuptuar”, dhe se fletarrestimet e lëshuara nga INTERPOL-i me kërkesë të Serbisë do të vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut./REL
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.