Konjufca: Na duhet koordinim i thellë me Shqipërinë që Kosova mos të dëmtohet nga marrëveshja finale me Serbinë

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po qëndron për vizitë në Shqipëri, ku ka zhvilluar takim me homologun e tij Gramoz Ruçi.

Pas takimit në një konferencë të përbashkët, Konjufca e falënderoi Ruçin siç tha ai për mirëpritjen vëllazërore.

“Kishim një takim të frytshëm. Asnjë fjalë nuk mund ta përmbledh kontributin e madh e të çmuar që Shqipëria e ka dhënë në vazhdimësi për shtetin tonë, Kosovën. Ne kemi interesa të përbashkëta meqenëse jemi një komb. Të tillë mendoj se duhet ta kemi edhe politikën”, u shpreh Konjufca, shkruan Telegrafi.

Konjufca tha se me Ruçin diskutuan edhe për procesin e dialogut me Serbinë si dhe Gjykatën Speciale.

“Trajtuam edhe sfidat që vendin tonë e presin. Ne do të përballemi me një dialog të vështirë me Serbinë, meqë faktorët ndërkombëtarë e kanë definuar atë si faza përfundimtare që duhet të përmbyllet ky dialog me një marrëveshje përfundimtare. Na duhet koordinim i thellë dhe i ngushtë me Shqipërinë që Kosova mos të dëmtohet nga një marrëveshje e tillë. Për Kosovën, dëm do të ishte krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Kosovës që do të kontrollohej nga Beogradi, dhe kjo nuk bënë assesi të ndodh dhe kjo është beteja jonë e përbashkët”, u shpreh Konjufca.

Kryeparlamentari theksoi se Kosovë po përballet edhe me sistemin gjyqësor të Gjykatës Speciale, ku ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte.

“Ne duhet edhe në këtë dimension të bashkërendojmë veprimet tona me Shqipërinë që ta kalojmë me dëme më të vogla këtë sfidë. Lufta jonë e shenjtë dhe e pastër e UÇK-së nuk ka qenë vetëm e Kosovës por e gjithë kombit shqiptar”, tha Konjufca.

Ai falënderoj institucionet e Shqipërisë që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në përballje me pandeminë COVID-19.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-