Sot në objektin e ShFMU “28 Nëntori” në Brodosanë u bë hapja solemne e dy Qendrave me Bazë në Komunitet. Ky projekt u realizua në kuadër të bashkëpunimit në mes të Komunës së Dragashit dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, me mbështetje të Devolli Corporation dhe Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim.
Në ceremoninë e hapjes së këtyre Qendrave morën pjesë znj.Nona Zicherman – shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj.Sajeda Atari – specialiste e Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme në UNICEF, z.Shkëlqim Devolli – pronar i Devolli Corporation, z.Adriatik Kelmendi dhe z.Dardan Sejdiu – përfaqësues nga Devolli Corporation, si dhe znj.Mimoza Shahini – Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim.
Para hapjes solemne, Kryetari Xheladini i priti në Zyrën e tij të gjithë partnerët, me të cilët bashkëbisedoi në lidhje me mbarëvajtjen e Planit të Përbashkët të Punës dhe ecurinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Ai i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar për qytetarët e Komunës së Dragashit. Përfaqësuesi nga Devolli Corporation, z.Adriatik Kelmendi, prezantoi një historik të shkurtër të kësaj kompanie vendore, e cila po ofron mbështetje në hapjen e qendrave për zhvillim në fëmijërinë e hershme nëpër disa zona të Kosovës. Ndërkaq, shefja e Zyrës së UNICEF-it, znj.Nona Zicherman, falënderoi Komunën e Dragashit dhe Kryetarin Xheladini për gatishmërinë e bashkëpunimit në realizimin e projekteve të përbashkëta.
Në fjalën e tij me rastin e hapjes së këtyre Qendrave, Kryetari Xheladini u bëri thirrje të gjithë prindërve nga Opoja të cilët kanë fëmijë të moshës 3-5 vjeç, që t’i regjistrojnë ata në këto Qendra, për të cilat tha se janë një mundësi e mirë që fëmijët tanë të rriten në një mjedis të shëndoshë edukativ dhe socializues.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.