Drejtoria për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Komunën e Dragashit ka kërkuar nga qytetarët e kësaj ane që të jenë të kujdesshëm me zjarret dhe të jenë aktiv për parandalimin e tyre.
Në njoftimin e Komunës, theksohet se në mbledhjen e tretë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, është marrë vendim që të apelohet te qytetarët për kujdes të shtuar gjatë trajtimit të zjarrit, raporton Telegrafi.
“Prandaj, Drejtoria për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike, në emër të Komunës së Dragashit dhe Komitetit Komunal për Siguri të Qytetarëve, apelon dhe kërkon nga të gjithë qytetarët e Komunës sonë që të kenë kujdes në trajtimin e zjarrit, por edhe të jenë aktivë në parandalimin e ndonjë lloji të zjarrit, sidomos zjarrvëniet në ambient të hapur, që janë raste të shpeshta në Komunën tonë. Tashmë kemi hyrë në stinën e verës ku priten temperatura të larta, të cilat shtojnë rrezikun e shfaqjes dhe përhapjes së shpejtë të zjarreve në zona të hapura. Në kushtet e verës mjafton pak pakujdesi që zjarri të shpërthejë dhe të përhapet shpejt e të dalë jashtë kontrollit”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.
Për të shmangur rrezikun nga zjarri, si dhe për të mbrojtur mjedisin, pronën dhe jetën e qytetarëve, organet komunale kanë apeluar që zjarri të trajtohet me shumë kujdes, veçanërisht në ambiente të jashtme, për të shmangur të gjitha shkaqet e mundshme të zjarrit, raporton Telegrafi.
“Mos ndizni zjarr në natyrë pa përgatitje paraprake, pra pa siguruar zonën ku është planifikuar të ndizet zjarri, qoftë për djegien e barit dhe bimëve të thata apo ndezjen e skarës në piknikë.
Ekskursionistët që planifikojnë piknikë në natyrë, duhet të kenë kujdes që të mos e bëjnë këtë pranë pyjeve, pikave të karburantit dhe në çdo vend ku ka rrezik të lartë për përhapjen e zjarrit.
Nëse vjen deri tek përhapja e zjarrit, mos u largoni nga vendi i ngjarjes, gjë që përbën shkelje dhe rrezikon më tej mjedisin, por përkundrazi, telefononi drejtpërdrejt Shërbimin e Zjarrfikësve, të cilët do të intervenojnë në kohën sa më të shkurtër të mundshme.
Nëse zjarri përhapet, mos u largoni nga vendi i ngjarjes, duke kryer kundërvajtje dhe duke e vënë mjedisin në rrezik shtesë, por përkundrazi, thirrni drejtpërdrejt zjarrfikësit, të cilët do të ndërhyjnë sa më shpejt të jetë e mundur.
Prandaj, apelojmë tek të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre në vende të paautorizuara, në vende ku ka rrezik përhapjeje dhe të mos e lënë zjarrin pa mbikëqyrje, deri në shuarjen e plotë të tij, sepse në të kundërtën do të përballen me sanksione ligjore për ndezjen e zjarrit, rrezikimin e pronës dhe jetën njerëzore”, shkruan në njoftim.
Aty janë ofruar edhe numrat e kontaktit në rast nevoje:
044 615 033 Njësia e Zjarrfikësve në Dragash;
112 Qendra Operative Emergjente në Prizren;
192 Policia e Kosovës dhe
194 Ndihma e shpejtë. /Telegrafi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.