Kompanitë e sigurimeve e rritën pagesën e dëmeve për 35,42 %

Opoja.net Opoja.net Kosova

Pagesa e dëmeve gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti është rritur për 35,42 % më shumë, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Përfaqësues të industrisë së sigurimeve thonë se pagesa e shpejtë e dëmeve është prioritet i secilës kompani që operon në vendin tonë

Rreth 30 milionë euro dëme kanë paguar kompanitë e sigurimeve që operojnë ne vendin tonë vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, thuhet se gjatë periudhës janar-qershor 2021 janë paguar gjithsej 29,285,305 euro dëme ose 35.42% më shumë se gjatë periudhës së njëjtë janar-qershor 2020. “Numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar-qershor 2021 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është rritur për  15,598 dëme, duke arritur në  74,059, nga të cilat  73,870 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 189 nga kompanitë e sigurimit të Jetës”, thuhet në raportin zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, raporton iSIGURIME.

Mazreku: Pagesa e dëmeve është prioritet për secilën kompani

Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit thotë se pagesa e shpejtë e dëmeve është prioritet i secilës kompani të sigurimit që operon në vendin tonë.

Më tutje Mazreku bën më dije se nga viti në vit ka rritje të theksuar, si shumës së dëmeve të paguara, ashtu edhe kohës së shpejtë të kompensimit.

“Pavarësisht kohës së rëndë përmes të cilës ka kaluar industria e sigurimeve, por edhe e gjithë ekonomia vendore si pasojë e pandemisë COVID-19, pagesa e dëmeve ka vazhduar më ritme të përshpejtuara. Pjesa dërmuese e dëmeve aktualisht paguhen në një kohë rekord”, ka bërë të ditur drejtori Mazreku.

Sipas tij, rritje të theksuar të shumës së pagesës, por edhe kohës së shpejt të pagesës ka pasur edhe në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Guvernatori: Industria ka qenë e provizionuar me mbi 100%

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se industria e sigurimeve në Kosovë përgjatë periudhës sw funksionimit, është ballafaquar me shumë probleme. Ndër problemet kryesore ka qenë qeverisja e dobët korporative, vonesa në pagesën e dëmeve, e deri te shkeljet më serioze siç janë mungesa e kapitalizimit dhe provizionimit sipas kërkesave ligjore. “Megjithatë, gjatë mandatit tim, kam vendosur në prioritetin kryesor rregullimin e plotë të kësaj industrie, duke filluar nga kapitalizimi. Kemi bërë përpjekje serioze për të dhënë mundësi dhe kohë brenda afateve ligjore kompanive që të rregullohen duke shtuar kapital. Në raste kur nuk ka pasur përgjigje për kapitalizim dhe provizionim, kemi revokuar licenca. Me fillimin e këtyre masave kemi parë një përgjigje intensive nga industria pasi që aksionarët e siguruesve kanë shtuar rreth 15 milionë euro kapital për një periudhë të shkurtë kohore. Si rrjedhojë, për herë të parë në kohë shumë të gjatë, në shtator 2020, industria ka qenë e provizionuar me mbi 100%” ka thënë ai.

35,42 % është rritur pagesa e dëmeve gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

29,285,305 milionë euro është shuma e mjeteve që kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë paguar gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

74,059 është numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar-qershor 2021

74,059 dëme më shumë janë pagur gjatë periudhës janar-qershor 2021 në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe:
- Reklama-
- Reklama-