Saktësisht edhe 24 ditë kanë mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Edhe pse fushata elektorale zyrtarisht do të nisë më 3 shkurt dhe do të përfundojë më 12 shkurt, partitë politike ka kohë që e kanë nisur atë duke shkelur hapur rregullat anti-Covid, për çka në anën tjetër qytetarët janë dënuar dhe vazhdojnë të dënohen çdo ditë.
Ndërsa po mbajnë tubime në restorante, oda, dhe po u shkojnë derë më derë qytetarëve pa qarë kokën për mundësinë e infektimit me Covid, shumica e partive kanë zbuluar edhe sloganet me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e reja.
Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë prezantoi sloganin e saj që do të qohet “Krejt dhe Drejt”.
Kreu i VV-së, Albin Kurti, pasi e prezantoi sloganin nuk dha ndonjë shpjegim pse ky slogan, por shkruajti në Facebook se “Referendumi që do ta kthejë Kosovën kah e mbara, nuk mund të ndalet!”.
Por kandidatja për presidente nga Vetëvendosje, Vjosa Osmani, e cila do të garojë për deputete nën petkun e VV-së dha sqarime pse një slogan i tillë.
“Krejt, sepse fryma mobilizuese është me shumicën, sepse ata e bëjnë dallimin!
Krejt, sepse vetëm shumica mund t’i bëjë ndryshimet!
Krejt, sepse sa herë që jemi bërë bashkë, kemi dalë fitues!
Drejt, sepse vetëm në këtë mënyrë e krijojmë diferencën!
Drejt, sepse vetëm me drejtësi garantohet përfaqësimi i barabartë qytetar!
Drejt, sepse i drejti gjithmonë del fitues!”, ka shkruar ajo.
“Rimëkëmbje”
Partia Demokratike e Kosovës që në këto zgjedhje ka kandidat për kryeministër Enver Hoxhajn, në mungesë të Kadri Veselit që gjendet në Hagë, ka vendosur të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit me sloganin “Rimëkëmbje”.
Si arsye pse kanë vendosur të garojnë me këtë slogan kanë deklaruar se duan ta rimëkëmbin Kosovën në të gjitha fushat.
“Mbesim në Lidhje”
“Mbesim në Lidhje” është slogani i LDK-së e shoqëruar bashku edhe me një zemër të kuqe, çka e kanë ndërlidhur edhe me ditën e të dashuruarve 14 shkurtin, ditë kur mbahen edhe zgjedhjet.
“Ramushi president 2021”
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka slogan krejt ndryshe që nuk lidhet me qeverinë, por me presidencën.
“Ramushi president” është slogani i kësaj partie, pasi AAK në këtoi zgjedhje nuk ka kandidat për kryeministër.
Pretendimi i AAK-së është që lideri i tyre Ramush Haradinaj të bëhet president i vendit.
“Mbrojtja e vlerave kombëtare”
Partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate e cila në këto zgjedhje ka synim kalimin e pragut parazgjedhor si slogan ka “mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kombëtare”.
Në çdo takim që po mban me struktura kjo parti thotë se beteja e tyre është mbrojtja e vlerave kombëtare.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.