Jasharaj: Kurti po mundohet t’i përçajë sindikatat, u alivanosa nga deklarata e Elvis Hoxhës

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Intervista

Mësimdhënësit në Kosovë do të vazhdojnë grevën në afat të pacaktuar deri në plotësimin e kërkesave, ka thënë për Ekonomia Online, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka folur për akuzat e rënda të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, për të cilin thotë se i kanë shkaktuar madje edhe telashe shëndetësore.

Jasharaj ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, për të cilën thotë se po mundohet t’i përçajë sindikatat.

“Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij kanë një qasje tejet të gabuar ndaj sindikatave. Në vend të dialogut fillimisht kanë zgjedhur deklarata që ‘ky nuk e meriton’ e këso deklarata tjera. Janë përzier në punët e sindikatave që është e ndaluar edhe me konventat ndërkombëtare, pastaj në vend të dialogut filluan të më fyenin, dhe këto i përballova, pastaj u munduan të më shpallnin hajn por çdo gjë u vërtetua se nuk jam i tillë”.

“Pastaj doli ajo deklarata e tmerrshme që më kushtoj më përkeqësimin e shëndetit tim, ngase shokët që ishin këtu më kanë parë. Nuk më ka ndodh kurrë ashtu një gjendje krize kur i tërë trupi më dridhej dhe e pash që e humba kontrollin. U pa që pas një kohë e demantoi vetveten duke thënë se është bazuar në lajme të rrejshme”, u shpreh Jashari.

Jasharaj ka thënë se Elvis Hoxha është njëri ndër më të poshtrit në Vetëvendosje, pasi thotë se nga akuzat e tij, ai është alivanosur.

“E kisha humbur për një kohë vetëdijen dhe këtë e vërtetova se e pash vetën të lagur me ujë nga kolegët, të cilët ishin tmerruar. Po isha i alivanosur se për një kohë nuk kam pasur vetëdije. E kam thënë edhe më herët, po e them edhe tani se nga njerëzit më të poshtër në Vetëvendosje është Elvis Hoxha dhe kam pritur që kryeministri të reagojë, por nuk e bëri”, tha ai teksa falënderoi opinionin për përkrahje.

Ai tha se qeveria në vend të dialogut, po humb kohë e orë duke shëtitur nga një komunë në tjetrën, duke vizituar ndonjë shkollë.

Jasharaj tha se janë në pritje të dialogut dhe se deklaratat e Kurtit nuk do ta zmbrapsin.

“Po të dojë Qeveria, që sot ta thërras kryetarin Hukolli dhe Këshillin Grevist, nëse unë jam një njëri i padëshiruar unë nuk shkoj. Jam i gatshëm që të takohem, por nëse shihem si pengesë nga pala tjetër, ka djem e vajza që udhëheqin për mrekulli sindikatën, veç le të fillojë dialogu. Po nuk ndodhi kështu, atëherë greva do të vazhdojë sepse ky është vullnet i anëtarësisë i jo vetëm i SBAShK-ut, por edhe i sindikatave tjera”, u shpreh Jashari.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-