Inspektorati i Tregut në vazhdën e inspektimeve të intensifikuara ka kryer edhe inspektime lidhur me verifikimin e sasisë dhe peshës së produkteve nëpër operatorët ekonomik në Republikën e Kosovës.
Sipas një njoftimit të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ta hequr çdo dyshim lidhur me peshën dhe sasinë e produkteve, mostrat janë dërguar në laborator për analiza përkatëse, pas të cilave ka rezultuar se një lloj i vajit ushqimor në treg nuk i plotëson kriteret.
“Raporti i verifikimit nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, gjegjësisht laboratori i parapaketimeve ka konstatuar se një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja 03/2020 për produktet e parapaketuara. Si rrjedhojë Inspektorati i Tregut, si në çdo rast tjetër ka ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, respektivisht operatorit ekonomik, importues i këtij vaji , i është ndaluar shitja e këtij produkti dhe tërheqja nga tregu në afat prej 15 ditësh. Inspektorati i Tregut i Republikës së Kosovës, në vazhdimësi kryen verifikime dhe inspektime në terren me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit e poashtu do të vazhdojë t’a bëjë të njëjtën gjë edhe gjatë ditëve në vazhdim. Me këtë rast ftojmë qytetarët-konsumatorë që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve, dhe për çdo shkelje të të drejtave të konsumatorit, të vazhdojnë të adresojnë ankesat/njoftimet në Inspektoratin e Tregut, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Për çdo rast qytetarët ftohen të raportojnë në: Tel: 0800 11000 ose e-mail: Konsumatori@rks-gov.net. Të gjitha kërkesat dhe raportimet tuaja do të shqyrtohen me kujdes. Ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.