Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, e vlerëson si të tensionuar gjendjen në veri të vendit. Duke folur për gjendjen atje, Ibishi thotë se kjo po bëhet nga “grupet ekstreme”.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibishi thotë se me vendimin për tërheqje është dashur të hiqen edhe barrikadat.
Ndërsa për paralajmërimet për hyrje të ushtrisë serbe në Kosovës, Ibishi i quan të papranueshme.
Sipas tij, sulmet kanë filluar edhe ndaj pjesëtarëve të EULEX-it, teksa thotë se situata e tensionuar do të vazhdojë edhe për një kohë.
“Pra sulmet e ekstremistëve serb që janë urdhëruar dhe dirigjuar nga Beogradi, vazhdojnë edhe më tutje, pra tash kanë kaluar në një fazë tjetër pra sulmojnë patrullat e EULEX-it, dhe kërcënimet e vazhdueshme kinse për kërkesat për rikthim famëkeq në vendin e krimit të forcave serbe, është e papranueshme. Atë e thanë edhe vendet e Bashkimit Evropian, mirëpo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, që të hiqen barrikadat dhe t’i kthehen normalitetit ekstremistët”.
“Serbia vazhdon ende që kinse Forcat Speciale po hyjnë në veri dhe po mundohet që të nxisë situatën. Sido që të jetë, mendoj Qeveria e Kosovës e mori vendimin që të shtyjë zgjedhjet dhe në këtë situatë barrikadat nuk hiqen. Vazhdon ende kërcënimi nga Serbia dhe mendoj që kjo situatë do të jetë edhe për një kohë shumë e shkurtër e tensionuar derisa BE dhe ShBA nuk ia tërheqin vërejtjen lidershipit serb për të hequr dorë nga shtytja e ekstremistëve për të bërë sulme dhe bllokime”, u shpreh Ibishi.
Ibishi ka thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës në atë pjesë janë të ligjshme, ndërsa kërkesa e Serbisë për lirim të të arrestuarve është e papranueshme. Të njëjtit, thotë se duhet të japin llogari.
“Siguria është e rrezikuar, kjo tregohet edhe me vetë deklaratat e lidershipit vendor por edhe atij ndërkombëtar, por ajo çdo herë është e nxitur. Në forma artificiale e nxisin situatën dhe e tensionojnë, pra nuk ka të bëjë me asgjë, sepse Qeveria e Kosovës po e zbaton ligjshmërinë në veri të vendit dhe normal që kërkesa për lirim të arrestuarve për vepra kriminale është e paakceptueshme, në kuptimin e asaj se duhet të përgjigjen për veprimet e tilla dhe duhet të mbretërojë rend dhe ligji”, u shpreh Ibishi.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.