I dhënë pas dialogut dhe Zajednicës, Kurti injoron vuajtjet e minatorëve të Trepçës

Opoja.net Opoja.net Kosova

I dhënë pas dialogut me Serbinë, Albin Kurti i ka harruar minatorët e Trepcës, të cilët janë futur në grevë urie.

Fotografitë që po vijnë nga Trepça nuk janë nga viti 1989 kur minatorët shqiptarë protestuan kundër heqjes së autonomisë së Kosovës.

Sot, 24 vjet pas luftës, ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore, shkarkimin e kryeshefit dhe sigurime shëndetësore e kushte të punës, shkruan Demokracia.com.

Kurti, i cili nuk e ka thënë asnjë fjalë për grevën e minatorëve, dikur thoshte se “minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”.

“Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për ‘Trepçën’ dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ‘Trepça’ të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrjeje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Kurti në 34-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës.

Mosreagimi i Qeverisë e ka çuditur edhe juristin Ehat Miftaraj.

Miftaraj me anë të një postimi në Facebook, ka shtruar disa pyetje për kryeministrin Albin Kurti.

“Albin Kurti dhe VV a e din se minatoret e Trepçës janë në grevë?”, ka pyetur Miftaraj.

“A po i konsideron kërkesat e tyre apo do i konsideroj edhe ata tradhtarë sepse kane hyrë në grevë dy ditë para takimit në Bruksel?”, ka shkruar ai tutje.

Miftaraj ka thënë se kryeministri Kurti i ka rritur pagat për kabinetin qeveritar, duke injoruar klasën punëtore.

“Me rendesi Albin Kurti dhe kjo qeveri i ka rrit pagat e kabinetit qeveritar, klasa punëtore le të jetojnë në mjerimin e tyre”, ka shkruar Miftaraj.

Edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar për pamjet që po vijnë nga Trepça.

“Kjo foto nuk është nxjerrë nga arkivat e historisë, nga mbyllja e minatorëve të Trepçës kundër pushtimit serb, por e ditës së sotme.
Arsyeja për të hyrë në grevë urie është mospagesa me kohë e pagave, kushtet e rënda të punës; ndërsa, prej vitit 2019 e deri më sot, kontributet pensionale iu janë paguar vetëm për 10 muaj. Ramadan Pajaziti është vetëm njëri prej këtyre minatorëve, i cili më ka shkruar duke më bërë të ditur se tashmë tre minatorë janë dërguar në spital dhe njëri prej tyre është në gjendje të rënduar. Dhe me gjithë sakrificën njerëzore, kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar ende nuk i kanë vizituar grevistët, për t’i parë në sy dhe diskutuar me ta.”, ka shkruar ajo.

Sipas Halimit, është tejet e dhimbshme, e pafalshme dhe e pakuptimtë që të na rikthehen këto pamje, të cilat, partisë në pushtet nuk i bëjnë përshtypje.

“As mirëqenia e arsimtarëve, as e policëve dhe as e minatorëve nuk janë në fokus të kësaj Qeverie. Vërtetë Kurti nuk e ka fare vëmendjen në qeverisje duke ngarendur pas propagandës.”, ka shkruar ajo. /Demokracia.com/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe: , ,
- Reklama-
- Reklama-