Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka konsideruar dëm të madh për vendin çdo ditë që kalon me Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Hoti e ka thënë këtë duke argumentuar për kredinë prej 47 milionë euro të marrë nga Qeveria për t’i paguar ndihmat sociale, e siç thekson deputeti i LDK-së, i kanë palosur 700 milionë euro nëpër llogari bankare.
“I kanë bllokuar investimet kapitale në gjithë Kosovën, të cilat kurrë nuk kanë qenë më të ulëta. Edhe në kohën e pandemisë është punuar më shumë në projekte në gjithë Kosovën. I kanë palosur mbi 700 milionë euro në llogari bankare të Qeverisë. E tash marrin kredi 47 milionë euro për ndihma sociale, prej të cilave 15 milionë janë për pagesat e bëra për ndihma sociale për janar, shkurt dhe mars 2021, kur ka qenë pandemia, të cilat pagesa po bëhen gati dy vite që janë kryer”, ka shkruar Hoti në Facebook.
“Edhe kanë fytyrë të kërkojnë votat e opozitës për ratifikimin e kredisë në Kuvend. Ky është dështim total. Është dëm i madh për vendin çdo ditë që kjo klasë politike e paaftë dhe e mbrapshtë mbetet në qeverisje. Është e pafalshme të lejohet edhe më tutje kjo lloj qeverisjeje”, ka thënë ish-kryeministri i Kosovës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.