Heroizmi i rënies së Afrimit dhe Fahriut, frymëzim për brezat liridashës

Opoja.net Opoja.net Opinione

Autor: Demir Reshiti

Krisma e pushkëve të Afrimit dhe Fahriut theri kupën e qiellit mbi Prishtinë dhe kjo jehonë u ndje edhe më larg, gjer atje ku jeton shqiptari. Ai gjak që u derdh e iu bashkua lumit të gjakut të të rënëve tjerë, nxjerr në pah porosinë e qartë të tyre se jeta e secilit prej nesh është asgjë kur është në pyetje atdheu. Krisma e pushkëve të tyre e qau qiellin, dielli hapi lirisht rrezet e tij mbi atdheun tonë të robëruar…

Ata shkuan edhe drejt vdekjes pa iu trembur syri. Heroizmi i rënies së Afrimit dhe Fahriut, proklamonte fillimin e një epoke të re, ku do të fuqizoheshin përpjekjet për organizimin cilësor të luftës sonë për çlirim, ku do të niste seriozisht organizimi i popullit në luftë të armatosur. Tridhjetë vite më parë, më 2 nëntor 1989, uturima e mjeteve të blinduara dhe e makinerisë së luftës bashkë me aradhen e bashkuar të policisë speciale të shoqëruara edhe me helikopterë kishin mësyrë dhe e kishin vënë rrethimin për t’i kapur ilegalët Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia.

Ata u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë, dhe pas një lufte të madhe që bënë, ranë si bien trimat në fushën e nderit. Qëndresa e tyre jepte porosinë që kumbonte fuqishëm dhe tregonte qartë, se akti i trimërisë është vepra që ngre peshë zemrat e liridashësve deri në heroizëm të pashoq. E si mund të dorëzoheshin trimat, kur i priste beteja për ta mundur vdekjen? 2 nëntori është treguesi më i mirë dhe amaneti që lanë Fahriu dhe Afrimi për të gjallët, për forcat ilegale të cilat vepronin kundër pushtuesit. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, mbyllën sytë duke e kryer obligimin kombëtar ashtu siç dinë vetëm pasardhësit e denjë të Vojo Kushit e Perlat Rexhepit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës. Prandaj heroizmi i rënies së Afrimit dhe Fahriut, proklamonte fillimin e një epoke të re, ku do të fuqizoheshin përpjekjet për organizimin cilësor të luftës sonë për çlirim, ku do të niste seriozisht organizimi i popullit në luftë të armatosur.

Me vetëmohimin prej një atdhetari të shquar hyri dhe u bë pjesë e historisë sonë kombëtare

Heroi i kombit, Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në fshatin Llugë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Afrimi rrjedh nga një familje e cila që herët i kishte kundërshtuar pushtuesit. Ngjarjet e mëdha të vitit 1981 Afrimin e gjetën nxënës të vitit të dytë të shkollës së mesme në Prishtinë. Më 1 dhe 2 prill të ‘81- demonstratat u përhapën në të katër anët e Kosovës. Në ballë të këtyre ngjarjeve qëndronte Afrimi i cili nga pozitat e një atdhetari të mirëfilltë, nuk mund të qëndronte i qetë e indiferent para gjithë kësaj që po ndodhte dhe sidomos para faktit të moszgjidhjes së çështjes sonë kombëtare. Ai i kishte vënë vetes për detyrë që të luftonte deri në fund për çlirimin e tokave shqiptare. I përgatitur mirë ngaqë kishte lexuar shumë dhe me afërsinë e dashurinë që tregonte ndaj të tjerëve Afrimi u bë frymëzues për të tjerët që edhe ata të nisin rrugën e vështirë por që s’kishte tjetër – rrugën plot sakrifica të lirisë.

Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Ndërsa, më 1984 arrestohet bashkë me shumë shokë, dhe dënohet me katër vjet burg. Pas arrestimit që ia bën organet e sigurimit të pushtuesit dhe dënimit që ia dhanë ata, ai qëndroi stoikisht. Burgun e mbajti në Pozharevc. Burgu që vuajti ai qe në të vërtetë ndryshe ngaqë mendonin pushtuesit. Ai burgun e shndërroi në shkollë të përgatitjes së vet e të të tjerëve. Afrimi nuk u dorëzua; ai nuk u thye e as nuk u ligështua për asnjë moment, por nga burgu doli edhe më i përgatitur se ç’ishte më parë.  Pas daljes nga burgu ai u inkuadrua në radhët e LPRK-së. Afrimi nuk rrinte. Ai me të gjitha mundësitë i kontribuonte në çdo moment zgjidhjes së çështjes sonë. Në kuadrin e kontakteve të shumta me të rinj shqiptarë që merreshin me punë ilegale vetë koha dhe përpjekjet e përbashkëta, rruga që kishin zgjedhur ata të dy i takoi Afrimin e Fahriun për t’i lidhur ata fort me njëri-tjetrin. Afrimi ishte vërtet një shok çfarë e kishte dëshiruar Fahriu dhe anasjelltas. Ata bashkë mund të bënin çdo gjë duke qenë të bindur se deri në fund do të vazhdojnë ecjen në po këtë rrugë.

Zaten edhe Afrimin e Fahriun dhe Fadil Vatën dhe veprimtarët tjerë të kohës vetë koha i nxori në ballë të rrjedhave që po shënonin një kthesë të madhe historike. Kosova ziente nga protestat, demonstratat e grevat, dhe edhe Afrimi, Fahriu e shokët tjerë ashtu siç kudo ngjanin këto vlime ashtu edhe ata ishin kudo. Koha u kishte ngarkuar një detyrë tepër të vështirë. Në njërën nga demonstratat e pranverës së vitit 1989, Afrimi, demonstruesve që zienin përbrenda nga urrejtja për pushtuesit u drejtohet me një fjalim. Thirrja e organeve të pushtuesit, në qershor të vitit 1989, që Afrimi të shkojë në shërbim ushtarak të pushtuesit, nuk e ndau nga përpjekjet e mëdha që kishte bërë e synonte t’i bënte. Ai nuk mundi të durojë sjelljet e organeve të pushtuesit ndaj tij dhe duke e parë se Kosova dhe çështja kombëtare kishte nevojë për kontributin e tij ai u arratis nga radhët e ushtrisë pushtuese dhe nisi jetën e rëndë dhe të vështirë të ilegalit. Këto vështirësi nuk e lëkundën e nuk e hamendën për asnjë çast Afrimin. Afrim Zhitia me punën e vet të palodhshme me vetëmohimin prej një atdhetari të shquar hyri dhe u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, pjesës më të ndritshme të saj. Ata shkuan edhe drejt vdekjes pa iu trembur syri, duke përsëritur vetëm pesë vite më vonë epopenë e lavdishme të rënies së dy trimave të tjerë shqiptarë, rënien heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës. Edhe në fund të jetës së tyre u gjenden në ballë të përpjekjeve, ashtu siç nuk pushuan asnjë çast. Më 2 nëntor të dy bashkë, shokë ideali Afrimi me Fahriun u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit dhe pas një lufte të madhe që bën ata të dy u vranë nga dora e gjakatarëve për të mos vdekur kurrë. Krisma e pushkëve të tyre theri kupën e qiellit mbi Prishtinë, dhe kjo jehonë u ndje edhe më larg, gjer atje ku jeton shqiptari. Kjo luftë zhvillohej në Kodër të Diellit, në Prishtinë, në zemër të Kosovës. Ai gjak që u derdh e iu bashkua lumit të gjakut të të rënëve tjerë, nxjerr para nesh porosinë e qartë të tyre. Jeta e secilit prej nesh është asgjë kur është në pyetje atdheu. Krisma e pushkëve të tyre e qau qiellin, dielli hapi lirisht rrezet e tij mbi atdheun tonë të robëruar.

Mst/ Thjeshtësia e punëtorit dhe qëndrimi prej militantit revolucionar – gërshetoheshin në personalitetin e Fahriut

Heroi Fahri Fazliu – Fatmiri u lind në vitin 1963 në Llaushë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Demonstratat e përgjithshme popullore të vitit 1981 Fahriun e gjetën në shkollën e mesme. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i tyre ku u shqua për vendosmëri dhe guxim. Këto ngjarje do ta kalisin atë si patriot dhe revolucionar. Pas kryerjes së shkollës së mesme shkon në shërbim ushtarak në vitin ’81-’82. Gjatë kësaj periudhe ai iu nënshtrua presioneve e provokimeve nga më të ndryshmet, por nuk u thye për asnjë moment. Të gjitha këto provokime iu bënë vetëm pse Fahriu reagonte ndaj padrejtësive që iu bëheshin atij dhe shokëve të tij vetëm pse ishin shqiptarë.

Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, Fahriu u lidh më tepër me hallet e popullit duke u bërë shembull i veprimit revolucionar. Krahas punës ilegale, pasi u punësua si dispeçer i trenave në Organizatën Hekurudhore “Prishtina”, ai do të jetë i pari që urdhëresat do t’i shkruajë në gjuhën amtare, me çka u thoshte pushtuesve dhe veglave të tyre se gjuhë e këtij vendi është gjuha shqipe. Për qëndrim të këtillë u suspendua disa herë nga puna, por duke iu falënderuar shokëve të tij të punës do ta kthejnë prapë. Në vendin ku punonte pati rast të takohej me shumë nga ata që shkonin t’i vizitonin të afërmit e tyre nëpër kazamatet jugosllave. Ai iu ndihmonte atyre me aq sa kishte mundësi. Fahriu ishte student i vitit të dytë në Fakultetin e Ndërtimtarisë, ndërsa kishte edhe tre provime për të diplomuar në Shkollën e Lartë të Komunikacionit në Zagreb. Në valën e protestave, grevave, demonstratave të vitit ’88-’89, ai ishte pjesëmarrës aktiv dhe njëri nga organizatorët e tyre. Në këtë kohë kur minatorët gjendeshin në zgafelle ai ishte në sallë, në mesin e studentëve të cilëve u jepte zemër të qëndrojnë deri sa të jetë e nevojshme.

Thjeshtësia e punëtorit dhe qëndrimi prej militantit revolucionar – komponentë këto që aq bukur gërshetoheshin në personalitetin e Fahriut, patjetër do të japin efektet e tyre. Në ngjarjet e marsit dhe të majit të vitit 1989 atë e gjeje kudo: ishte në Prishtinë, në Ferizaj, në Besianë etj. Vrasjet e shumta, plagosjet, arrestimet e keqtrajtimet do ta pikëllojnë Fahriun, por nuk do ta thyejnë asnjëherë sepse ishte i bindur se vetëm populli shqiptar mund dhe do ta detyrojë pushtuesin të tërhiqet përgjithmonë nga këto troje, pra se vetëm përpjekjet e pandërprera, lufta e pandërprerë me të gjitha mjetet dhe pasurimi i kësaj lufte me forma të reja e më të larta organizimi, janë garanci se mund të fitohet liria.

Flaka e luftës për çlirim do ta lidhë ngushtë me Afrim Zhitinë dhe Fadil Vatën, lidhje këto që do të këputen vetëm pas vdekjes (me Afrimin edhe vdekjen e bënë së bashku, kurse Fadili do të vdesë pas disa muajsh). Në tetor, Fahriu me shokë do të konstatojnë: “Situata është eksplozive, mjafton një xixë që ajo të shpërthejë në tërë Kosovën”. Veprimtaria e dendur e tij organizative do të hetohet nga UDB-ja, por edhe ai shumë shpejt e hetoi përcjelljen që i bëhej dhe si revolucionar dhe militant do të thoshte: “I gjallë nuk bie në dorë të armikut”.

Më 2 nëntor 1989, Fahriut i vihen pas dhe atë së bashku me Afrim Zhitinë i rrethojnë në banesën e babait të tij. Të betuar njëherë se nuk i bien të gjallë në dorë armikut, kërcyen nga dritarja dhe tentuan ta çajnë rrethimin. Duke çarë rrethimin Afrimi plagoset rëndë, kështu që të dy detyrohen të barrikadohen në Hyrjen e VII-të. Nga ajo se si ishte përgatitur armiku dukej se bëhej luftë përmasash të mëdha. Inspektorë, policë, ushtarë me armë më moderne dhe autoblindë luftonin kundër dy të rinjve me vetëm dy armë, por me dy zemra të guximshme trimash, të brumosura me patriotizmin revolucionar të popullit tonë dhe idealin e madh për lirinë e Kosovës. Që nga ora 12 e 45 minuta deri në ora 19 nuk ndalen të shtënat. Shovinistët serbomëdhenj dhe sahanlëpirësit e tyre duke parë heroizmin e këtyre dy trimave, nuk mundën t’i pranonin vetes se ata ishin vetëm dy, prandaj me mjetet e informimit në TV e Radio gjatë tërë ditës manipulohej me numrin e të barrikaduarve: thuhej se janë barrikaduar 6 pastaj 4 etj.  Kjo luftë e pabarabartë përfundoi atëherë vetëm kur UDB-ja kriminale vuri në dispozicion të gjitha mjetet, madje përdori edhe helme kimike. Fahri Fazliu me një plumb në ballë edhe një në këmbë dhe Afrim Zhitia me shtatë plumba në trup dhe një në ballë ranë heroikisht në fushën e nderit, ranë që të fitojnë përjetësinë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-