Shpërblimi i atij që shkon për ta falur namazin e xhumasë duke ecur në këmbë
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush pastrohet ditën e xhuma dhe rregullohet sa më mirë që është e mundshme dhe shpejton sa më herët që është e mundshme, e shkon në këmbë e jo duke kalëruar, pastaj i afrohet imamit, e përcjell hytben me vëmendje pa kurrfarë lëvizjesh të palejueshme (me gjymtyrë ose me gojë), do të ketë shpërblim për çdo hap të tij sa agjërimi dhe falja përgjatë një viti.”
Vlera e hadithit
Dijetari i madh Ibën Huzejme si dhe dijetarë të tjerë thonë: “Nuk kemi dëgjuar nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për ndonjë hadith me shpërblim më të madh sesa ky hadith.”
Pra, vëlla i dashur, nëse ti i plotëson të gjitha kushtet e lartpërmendura në hadith, për çdo hap që e hedh për në xhami do të kesh shpërblim sa namazi dhe agjërimi i një viti, kështu që aq hapa sa do të bësh për në xhami, 1000 apo 2000, për aq vite do të kesh shpërblim sa të kishe agjëruar e të ishe falur
E muslimanët që janë të kujdesshëm për shpërblime të mëdha nuk shkojnë me mjete apo kafshë në xhami, vetëm nëse është xhamia shumë larg.
Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, një ditë shkoi herët në xhami dhe e vërejti se tre persona kishin shkuar më herët se ai e filloj të qante që nuk kishte mundur të shkonte i pari .
Shpjegimi i hadithit
Pastrohet:- e lan tërë trupin mirë.
E shkon sa më herët që është e mundur: kjo kohë fillon pas lindjes së diellit.
I Dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur të vijë dita e xhumasë në çdo derë të xhamisë qëndrojnë engjëj, që i shënojnë ata që arrijnë në të një nga një dhe kur ulet imami, i mbyllin shënimet dhe afrohen për të dëgjuar. Shembulli i atij që arrin më herët është sikurse të flijojë (bëjë kurban) një deve, ndërsa shembulli i atij që vjen pas tij sikurse të flijojë një lopë, pastaj një dele, pastaj një pulë dhe kush arrin në kohën e fundit është sikur të jepte një vezë.” (Muslimi.)
E shkon në këmbë e jo duke kalëruar: e nëse një pjesë të rrugës ecën e një pjesë kalëron, nuk do të mbërrijë shpërblimin, pasi patjetër që tërë rrugën duhet ta kalojë në këmbë.
Pastaj i afrohet sa më afër imamit: e nëse pa arsye ulet në fund të xhamisë, nuk do ta mbërrijë këtë shpërblim.
Ai ka parasysh hadithin e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ku thuhet: “Afërsia juaj ndaj Allahut në Ditën e Kiametit do të jetë sipas afërsisë suaj ndaj imamit në xhami.”
Ai e përcjell hytben me vëmendje pa kurrfarë lëvizjesh të palejueshme (me gjymtyrë ose me gojë): dukje mos folur apo luajtur me gishta apo me diçka tjetër si dhe duke mos ia tërhequr vërejtjen të tjerëve gjatë hytbes, edhe nëse ata flasin apo gabojnë, duke u bazuar në hadithin e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur thotë: “Nëse i thua shokut tënd ditën e xhuma kur imami është në hytbe ‘hesht…!’, vetëm se ke thënë fjalë të kotë.” (Buhariu) Me këtë do ta humbësh shpërblimin e plotë të lartpërmendur.
© Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.